Asambleja e kaluar e Prishtinës. Foto: KALLXO.com/Arkiv

LDK-ja Akuzon Shpend Ahmetin për Keqpërdorim Subvencionesh

Sipas asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, pushteti lokal në kryeqytet po keqpërdor buxhetin gjatë ndarjes së subvencioneve.

Asamblistët e LDK-së në reagimin e tyre përmendin raportin e auditimit të vitit 2015 për Komunën e Prishtinës si bazë të akuzave të tyre ndaj kryetarit dhe qeverisjes së kryeqendrës së Kosovës.

“Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2015 janë të shumta. Disa nga të gjeturat kanë të bëjnë edhe me parregullsitë e identifikuara në ndarjen e subvencioneve për persona fizik dhe juridik. Kjo krijon bazën e dyshimit për vepra penale të kryera nga kryetari i komunës me rastin e nxjerrjes së vendimeve për ndarje të subvencioneve,” thuhet në reagimin e asamblistëve të LDK-së.

Asamblistët saktësojnë edhe shumën e keqpërdorimit të subvencioneve.

“Bëhet fjalë për shkelje procedurale dhe materiale për 13 përfitues të subvencioneve për projekte në vlerën prej 79,868 €,” sqarojnë asamblistët e LDK-së.

KALLXO.com që nga dje u ka shkruar zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për të marrë mendimin e tyre rreth akuzave të LDK-së në Prishtinë, por ata ende nuk janë përgjigjur.

LDK-ja në reagim rendit një varg shkeljesh që sipas tyre i ka bërë Komuna e Prishtinës gjatë ndarjes së subvencioneve.

Asamblistët e kësaj partie përmendin mes tjerash mbështetjen që Komuna e Prishtinës i bëri një projekti për studimin e florës dhe faunës së Gërmisë, duke e nënshkruar kontratën pas përfundimit të studimit.

Asamblistët, gjithnjë duke u bazuar në raportin e auditimit, konstatojnë se për Ditën Botërore të Muzikës në Prishtinë që u organizua në qershor, pagesa u bë në gusht.

Gjithashtu mes tjerash asamblistët e LDK-së akuzojnë pushtetin lokal të Prishtinës se mbështeti me 1 mijë euro botimin e një libri të një shkrimtareje që nuk është nga Prishtina.

Këto vërejtje rreth subvencioneve i janë dhënë Komunës së Prishtinës në raportin e auditorit të vitit 2015, duke i konsideruar si prioritet të lartë eliminimin e tyre.

Të shtunën shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës Agim Gashi akuzoi për nepotizëm pushtetin lokal në kryeqytet.

Atë ditë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti iu kundërpërgjigj Gashit me fjalët se kryeasamblisti i AAK-së po tenton të frikësojë ata prishtinas që po marrin pjesë në tubimet e “Vetëvendosjes”.

http://kallxo.com/kryeasamblisti-ldk-se-nepotizem-ne-qeverine-e-prishtines/

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës shumicën e asamblistëve e kanë partitë opozitare LDK e PDK, ndërsa mbledhjet e kësaj asambleje shumë rrallë përfundojnë pa fërkime.

http://kallxo.com/shpend-ahmetit-i-deshton-votimi-per-lagjen-kalabria/