Opozita në Prishtinë kërkon seancë të jashtëzakonshme për Liqenin e Badovcit

Ka mjaftuar një postim në rrjetin social ‘Facebook’ të kompanisë ‘Kawa Group’ , për fillimin e ndërtimit të disa vilave afër Liqenit të Badovcit, që të ngjall një debat në opinionin publik për mbrojtjen e liqenit.

Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës ia hodhën fajin njëra-tjetrës për këtë çështje, duke refuzuar ta marrin përgjegjësinë.

Në anën tjetër, një grup në ‘Facebook’ me emrin ‘Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit’ që numëron rreth 25 mijë anëtarë, u aktivizuan duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet.

Edhe opozita në Komunën e Prishtinës nuk qëndroi duarkryq.

Ministri në largim i Shëndëtësië, Uran Ismaili, ka njoftuar se dega e PDK-së në Prishtinë ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në lidhje me Liqenin e Badovcit.

“Si një banor i Prishtinës, duke ndarë shqetësimin me qindra qytetarë të cilët me të drejtë janë të brengosur, në mbledhjen e fundit të kryesisë së Degës së PDK-së në Prishtinë kemi vendosur që përmes asambleistëve tanë në Komunë të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme”, ka shkruar Ismaili në ‘Facebook’.

Në anën tjetër, Eman Rrahmani, asambleist nga rradhët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se fillimisht duhet të shikohet se cili është qëllimi i kësaj mbledhje të thirrur nga PDK.

“Dëgjova se PDK kishte filluar mbledhjen e nënshkrimeve, duhet të shohim fillimisht se cili është qëllimi i kësaj mbledhje. Pra materialin se çka është menduar të bëhet. Besoj që pastaj nuk do të ketë problem në dhënien e nënshkrimeve”, ka thënë Rrahmani.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, është shprehur e gatshme që t’i ofrojë nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, për të diskutuar për Badovcin.

Agim Gashi nga kjo parti, në një përgjigje për KALLXO.com, përmes telefonit, shprehi gadishmërinë e LDK-së që të merr pjesë në seancë.

“Ende nuk kemi pasur ndonjë kontakt me PDK në lidhje me këtë çështje, por ne jemi të gatshëm që të japim nënshkrimet dhe ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme. Nuk duhet të lejojmë komunën që të bëjë ndërtime në Badovc”, tha Gashi në përgjigjen e tij.

Ndërsa asambleisti Rrahmani gjithashtu ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk i ka ofruar qasje në dokumentet zyrtare, për lëshimin e kushteve ndërtimore për pronarin e tokës afër Liqenit të Badovcit. Rrahmani ka thënë se ka më shumë që një javë që e ka bërë një kërkesë të tillë.

“Ende nuk kemi marr asnjë informatë përveç atyre që janë publikuar në rrjetet sociale nga kryetari Shpend Ahmeti. Aty shihet që janë publikuar vetëm 2 nga 7 faqe te atij dokumenti. Kjo fshehje e dokumenteve na detyron të dyshojmë që këtu ka shumë parregullësi”, ka thënë Eman Rrahmani.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.