Komanda tregon dhëmbët: Suspendohen dy policë sepse pinë kafe

Dy zyrtarë policor të Stacionit Policor në Ferizaj, janë suspenduar dy ditë më parë.

Të njëjtit janë suspenduar nën arsyetimin se kishin frekuentuar kafenetë në orarin e punës.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Policia në Ferizaj.

“Lidhur me pyetjen e juaj ju informojmë se me datë 22.01.2020, nga ana e Drejtorisë Rajonale Ferizaj, për arsye të mos respektimit të urdhrit të Drejtorit të përgjithshëm të PK-së, për mos frekuentimin e lokaleve-kafiterive gjatë orarit të punës apo shfrytëzimi i pushimit të pa-autorizuar në këto lokale, janë suspenduar   dy  zyrtarë  policorë të SP Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Zëdhënësit të Policisë së Rajonit të Ferizajt, Agim Gashi.

Tutje Gashi ka thënë edhe se lënda është proceduar brenda afatit të paraparë  në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.

Një vendim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ishte ndërmarrë dy vite më parë. Në këtë vendim thuhej se ndalohej frekuentimi i lokaleve për kafe gjatë orarit të punës.