Ilustrim

Kaçanik, Policia intervenoi në një xhami ku po falej Bajrami

Policia e Kosovës ka intervenuar sot në një xhami në fshatin Biçec në Kaçanik, pasi që disa qytetarë ishin mbledhur për t’u falur me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Gashi deklaroi se në xhaminë e fshatit ishin mbledhur rreth 30 persona bashkë me imamin. Gashi tha se ata që kanë qenë duke u falur nuk janë penguar por paralajmëron masa ndaj tyre.

“Policia e Kosovës gjatë kontrollimit ka hasur me afër 30 banorë të cilët kanë qenë duke e falur nazamin e Bajramit në xhaminë e fshatit Biçec. Ka pasur edhe të tjerë që nuk janë lejuar të hyjnë, kurse ndaj atyre që kanë qenë duke u falur nuk janë penguar, por do të merret masa ndaj tyre”, u shpreh Gashi.

Bashkësia Islame e Kosovës ka mbyllur xhamitë që nga shpërthimi i COVID-19 edhe në vend. Xhamitë janë ende të mbyllura dhe besimtarëve nuk u lejua që të falin namazin e Bajramit as në hapësira publike, për shkak të rrezikut të përhapjes së coronavirusit.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar 1032 të infektuar prej tyre 785 të shëruar dhe 29 viktima.