Komuna e Gjilanit Asfalton Rrugë Private me Para Publike

Me paratë e buxhetit të shtetit, Komuna e Gjilanit ka asfaltuar rrugën “Agim Rashiti”, e cila në kadastrin e Komunës figuron të jetë rrugë private.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, rruga e cila është asfaltuar me para të Komunës është e regjistruar në kadastër si pronë e vëllezërve Haqif dhe Muharrem Behluli.

Zyrtarët në Komunën e Gjilanit thonë se çdo gjë ka shkuar në rregull me këtë projekt pasi që banorëve të lagjes u është kërkuar që të japin deklarata se ata nuk kërkojnë shpronësimin.

“Para se të bëhet hartimi i projektit për asfaltimin e rrugëve në këtë lagje është formuar një komision prej disa anëtarëve me vendim të kryetarit të Komunës. Pas analizimit të gjendjes në terren është kërkuar nga ana e banorëve që të japin pëlqimin (deklaratë) për asfaltimin e rrugëve pa ju bërë shpronësimi i tokave. Banorët u deklaruan se janë të pajtimit të bëhet asfaltimi i rrugëve pa ju bërë shpronësimi i tokave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit.

Rruga Agim Rashiti 2

Kur KALLXO.com ka kërkuar kopjen e deklaratave të banorëve të rrugës “Agim Rashiti”, Zyra për Media ka dërguar kopjen e një letre të shkruar me dorë e të paprotokolluar në Komunën e Gjilanit.

Shefi i sektorit të Kadastrës në Komunën e Gjilanit, Sali Fazliu, thotë se procedura e ndjekur nuk është në rregull pasi sipas tij deklarata për heqje dorë nga prona është dashur të jepet në zyrat e Komunës.

“Palët të cilat duan që t’u shtrohet rrugë, duhet ta japin një deklaratë pranë kësaj Drejtorie dhe të japin pëlqimin e tyre që prona e tyre, apo një pjesë e saj, t’i falet përkatësisht t’i jepet me ose pa kompensim Komunës së Gjilanit”, thotë Fazliu.

Ai shtoi se Ligji për Pronësinë dhe të Drejtat e tjera sendore me nenin 42 me të cilën rregullohet heqja dorë nga pronësia, parasheh që qytetarët duhen të heqin dorë nga prona e tyre dhe kjo deklaratë duhet të regjistrohet në Regjistrin e të Drejtave në Paluajtshmëri.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Zyra për Media e Komunës së Gjilanit por nuk ka marrë një përgjigje të qartë.