Kërkohet Rrugë më e Shkurtër e Lëndëve për Vjedhje të Rrymës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane të KFOR-it, në bashkëpunim me KEDS po ndihmojnë në rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike, bëhet e ditur përmes një komunikate për medie.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së, Zyra e Zhvillimit, Ndihmës dhe Trajnimit tё Prokurorëve (OPDAT) në Prishtinë, me mbështetjen e avokatëve të Ushtrisë Amerikane në KFOR, kanë iniciuar dhe po e mbështesin një projekt i cili ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet KEDS, Prokurorisë së Shtetit dhe gjykatave për të përmirësuar efikasitetin dhe proceset e ndjekjes së veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Në një takim të përbashkët palët ranë dakord që të iniciojnë procese për të avancuar përgatitjen e rasteve dhe përpjekjet për të zgjidhur ato me marrëveshje të pranimit të fajësisë pa shkuar në gjykim.

Zgjidhja e lëndëve me marrëveshje për pranim fajësie, sipas KEDS-it do ta shpejtonte shqyrtimin e çështjeve të vjedhjes së energjisë elektrike.

“KEDS e ka mirëpritur këtë iniciativë. Që nga themelimi i KEDS, katër vjet më parë, ka pasur mijëra raste të vjedhjes së energjisë elektrike të dërguara në zyrat e prokurorive dhe të gjykuara nga gjyqësori”, vijon komunikata e KEDS-it.

Bujar Jupaj, drejtor i Departamentit për Matjen dhe Kontrollin e Humbjeve në KEDS e përshëndeti nismën që lëndët e vjedhjes së energjisë elektrike të zgjidhen me marrëveshje gjyqësore.

“Kjo do të ndihmojë të gjitha palët, duke përfshirë KEDS-in, prokurorinë, gjykatat dhe konsumatorët e afektuar nga kjo dukuri. Kjo iniciativë, ku proceset avancohen përmes dialogut të drejtpërdrejtë, është për t’u përshëndetur. Kjo do ta lehtësojë shumë punën tonë “, tha Jupaj, sipas komunikatës.

Jupaj gjatë takimit bëri një prezantim të hollësishëm para prokurorëve dhe gjyqtarëve, përmes përshkrimeve dhe fotografive të metodave të ndryshme të vjedhjes së energjisë elektrike dhe metodave të KEDS-it për dokumentimin dhe trajtimin e vjedhjeve.

Projekti në fillim do të nisë në rajonin e Pejës për t’u zgjeruar më pas edhe në atë të Prishtinës dhe pjesë tjera të Kosovës.