Jepet Fjala Përfundimtare në Gjyqin Ndaj Zyrtarit të Gjakovës

Aktakuza në rastin e Gani Ramës ka të bëjë me procedurën e ndarjes së subvencioneve.

Në fjalën përfundimtare në gjykimin e zyrtarit kryesor financiar të Komunës së Gjakovës, Gani Ramës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Faik Halili, kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

NDËRLIDHUR

“Procedura e ndarjes së subvencioneve ka qenë e kundërligjshme që nga momenti i ndarjes së mjeteve monetare, ku shumica prej tyre nuk kanë ekzistuar dhe pagesat janë bartur për vite të tjera edhe pse në fakt ato mjete me letra janë alokuar”, tha mes tjerash prokurori Halili.

Prokurori theksoi se dyqani “Union-VL” është përzgjedhur pa asnjë lloj procedure.

“Dyqani i Pavarur Tregtar “Union-VL” është përzgjedhur pa asnjë lloj procedure, çka është për t’u çuditur se mbi 90% të mjeteve monetare të ndara për subvencioneve i janë dhënë këtij dyqani”, shtoi Faik Halili.

Ndërsa, Meshari Selimaj, avokati i të akuzuarit Rama e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“I akuzuari Gani Rama nuk e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Provat e akuzës sa i përket kësaj vepre janë të pamjaftueshme dhe të pabesueshme që i akuzuari Gani të shpallet fajtor sepse ato kundrejt të mbrojturit tim nuk tregojnë për kryerjen e asnjë vepre penale”, tha avokati Selimaj.

Sipas aktakuzës, Gani Rama akuzohet se e kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve monetare lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-VL” për shpërndarjen e subvencioneve.

I pandehuri, sipas aktakuzës, këto mjete i kishte lejuar pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe rregullat financiare.

Prokuroria pretendon se shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet të hënën.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Avokati: I Turpshëm Gjykimi i Zyrtarit të Gjakovës

09 Shkurt 2017 - 22:35

Lekë Muqaj 09/02/2017 - 22:35
NDËRVEPRIMI0

Jepet Fjala Përfundimtare në Gjyqin Ndaj Zyrtarit të Gjakovës

by Lekë Muqaj
NA NDIQNI