Foto-ilustrimi: Trembelat/Jeta Dobranja

Jahjaga: Punën e Nisur si Presidente po e Vazhdoj si Qytetare

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka lansuar Fondacionin Jahjaga, i cili ka për qëllim të sjellë një qasje të re në angazhimin dhe përfaqësimin efikas dhe domethënës të grupeve të margjinalizuara, me theks të veçantë të grave dhe të rinjve në Kosovë.

Jahjaga, në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së inaugurimit të fondacionit, tha se të gjithë si shoqëri mund te kontribuojmë për ndryshimin dhe zhvillimin tonë. Por ky ndryshim sipas saj mund të vijë nëse ballafaqohemi me të vërtetat tona, t’i adresojmë ato me kohë dhe në mënyrë të duhur.

Jahjaga ka shtuar se Kosova ka te kaluar të dhimbshme që shtrihet përtej luftës së fundit dhe sipas saj gjeneratave sot u ka rënë barra e rikrijimit të vendit.

“Sot po rritet një brez që nuk e mban mend luftën, pa ngarkesa, paragjykime ndaj tjetrit. Duhet të lëmë një trashëgimi tonën, dhe këtë trashëgimi është çfarë në po lëmë sot. Është pikërisht lansimi i këtij projekti”, tha Jahjaga.

Ish- presidentja Jahjaga tha se Kosova nuk dallon shumë nga vendet tjera në tranzicion, i tërë Ballkani sipas saj ka problem serioz me korrupsionin, me sundimin e ligjit, nepotizmin, degradimin e arsimit, shëndetësisë”, tha Jahjaga duke shtuar se ndryshimet kërkojnë kohë, mund dhe sakrifica dhe se nuk duhet të dorëzohemi para vështirësive.

”Jemi mbledhur këtu që punën si presidente mos ta lë në gjysmë, punën qe e nisa ta vazhdoj si qytetare e vendit. Dua të vazhdoj ta jap kontributin tim, sadoqoftë modest. Fondacioni Jahjaga ka për synim vazhdimin e kulturës së kësaj trashëgimie. Angazimi im për të drejtat dhe kontributet, nuk do te quhej i plotë po të mos vazhdoja edhe me tej. Nuk do te ishte i mundshëm sikur para meje të mos ekzistonin gra të fuqishme, e të dijshme që e hapën rrugën”, ka thënë Jahjaga.

Prandaj, sipas Jahjagës, duhet të hapen rrugë edhe për gratë tjera, pasi gratë në Kosovë vazhdojnë të kenë probleme.

“Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në politikë dhe në çdo fushë të jetës shoqërore. Megjithatë, janë vajzat dhe gratë që demonstrojnë çdo ditë se janë lidere të vërteta të këtij vendi”, theksoi Jahjaga.

Gjatë fjalimit të saj Jahjaga shtoi se papunësia është më e lartë për vajzat se për djemtë. Sipas saj, papunësia dhe arsimi i dyfishojnë problemet.

Gjenerali Keith W. Dayton, drejtor Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” tha se  Kosova gjendet në një gjendje të vështirë me probleme të brendshme dhe të jashtme, ekonomi jo fort të zhvilluar dhe mungesë të mundësive për gratë dhe rininë. Po ashtu  sipas tij ka probleme si ekstremizmi dhe krimi i organizuar.

“Gjithëpërfshirja dhe barazia gjinore janë të domosdoshme për zhvillim dhe për pajtim. Presidentja Jahjaga ka një vizion për inkurajimin e aktivizimit përmes qasjes poshtë-lart dhe pa ndërthurje politike. Unë besoj se fondacioni juaj do të bëhet institucion kryesor për paqe, siguri dhe pajtim. Kur nuk ka vizion, njerëzit pësojnë, e kur ka njerëzit lulëzojnë. Jahjaga ka një vizion që vlen të mbështet”, tha ai.

Edhe  Marie-Louise Coleiro Preca, Presidente e Republikës së Maltës, përmes një video- mesazhi tha se lidershipi i grave është thelbësor.

Fondacioni Jahjaga

Ceremonia e inaugurimit të Fondacionit Jahjaga

Publiée par Jahjaga Foundation sur Mardi 20 mars 2018

“Roli i gruas [në Kosovë] për drejtimin e ndryshimeve mund të jetë model për Ballkanin dhe më tej. Duhet t’i theksojmë çështjet që çojnë drejt barazisë dhe duhet të sigurohemi që zërat e grave të dëgjohen dhe pjesëmarrja të vlerësohet. Lidreshipi i grave është i thelbësor”, u shpreh presidentja e Maltës.