Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Ish-Mjeku i ‘Medicus’ Rrëfen Nëse Klinika Kishte Autorizim për Transplantim Veshkash

Në rastin “Medicus” sot ka dëshmuar mjeku Tunë Përvorfi, i cili kishte punuar në këtë klinikë.

Dëshmitari Përvorfi tha se qëndron pranë deklaratës së tij të mëhershme të dhënë në Gjykatë.

Ai tha se që nga viti 2003 e deri në vitin 2008 ka punuar si urolog në klinikën “Medicus”, në katin përdhes dhe se ka qenë bashkëpronar për katin përdhes në këtë klinikë.

Dëshmitari tha se në përdhes janë kryer ndërhyrje ë vogla kirurgjike të natyrës urologjike dhe se ai kishte punuar së bashku me Lutfi Dervishin në një ekip mjekësor.

Ekipi I anesteziologëve tha se kanë qenë Sokol Hajdini, Sylejman Tulla, dhe Islam Bytyqi kurse sa i përket infermiereve të cilat kanë marrë pjesë në operacione si instrumentare tha se kanë qenë Shpresa Makolli, e cila ka qenë e vetmja infermiere që ka mundur të marrë pjesë në ndërhyrje kirurgjike.

I pyetur nga prokurorja e rastit Valeria Bolici se nëse para se të kryhej një operacion a ka qenë ekipi i informuar për natyrën e operacionit që do të zhvillohej, dëshmitari u përgjigj se për natyrën e operacionit i cili do të kryhej paraprakisht të informuar kanë qenë i gjithë ekipi dhe anesteziologët e po ashtu edhe infermieret në shumicën e rasteve dhe se për natyrën e operacionit ata njoftoheshin një apo dy ditë më herët dhe rrallë ndonjëherë urgjentisht.

Dëshmitari tha se të dhënat në lidhje me pacientët janë shënuar në protokolle dhe se përgjegjës për ruajtjen e këtyre të dhënave ka qenë kryetekniku.

Ndërsa i pyetur nga prokurorja se nëse ndonjë pacient do të kërkonte informacione në lidhje me ndërhyrjen kirurgjike që ka pasur a do të ishit në gjendje që t’ia ofronit këto të dhëna, dëshmitari u përgjigj se një gjë e tillë është e pamundur pasi që ato të dhëna nuk kanë qenë të ruajtura në mënyrë elektronike dhe se ato protokolle janë konfiskuar nga Policia.

Prokurorja Bolici po ashtu e pyeti dëshmitarin nëse ai kishte dijeni nëse klinika “Medicus” kishte pasur licencë për të kryer ndërhyrje kirurgjike dhe nëse në këtë licencë përfshihej autorizimi për të kryer transplantim të veshkave.

Kurse dëshmitari u përgjigj se ata kanë pasur licencë për ndërhyrje kirurgjike por që ai nuk kishte lexuar të kishin pasur ndonjë autorizim të tillë për transplantim të veshkave dhe se sipas tij nuk kanë pasur ndonjë autorizim të tillë gjithnjë për katin përdhese ku ai kishte punuar.

Më pas prokurorja përsëri e pyeti dëshmitarin nëse në bazë të përvojës së tij që kishte si urolog dhe pasi kishte punuar edhe në klinika të tjera në bazë të njohurisë së tij nëse në rast se një klinikë private mjekësore e ka autorizimin për të kryer ndërhyrje kirurgjike urologjike a do të thotë kjo se ka të drejtë të kryej edhe transplantim të veshkave.

Por dëshmitari u përgjigj se nuk ka njohuri për një gjë të tillë.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij tregoi se personeli që ka punuar në klinikë ka qenë i shkëmbyeshëm.

“Disa persona që kanë punuar në katin përdhes kanë punuar edhe në katin e parë, ndërsa sa i përket motrave medicinale vetëm instrumentaret të tjerat jo” tha dëshmitari Përvorfi.

Ai tha se ka qenë vetëm një instrumentare Shpresa Makolli që ka punuar në katin e parë dhe në katin përdhese dhe se askush tjetër nuk e ka zëvendësuar.

I pyetur nga prokurorja në lidhje me dr. Manfred, Dr. Kenan si dhe Dr. Jusuf Sonmez, dëshmitari tha se me dr. Manfred rastësisht ishte takuar me një konferencë në Berlin ndërsa për doktorët Jusuf Sonmez dhe dr. Kenan tha se nuk i kishte takuar asnjëherë.

Avokati i Sokol Hajdinit, Ramë Gashi e pyeti dëshmitarin nëse sipas tij një anesteziolog a merr pjesë drejtpërdrejtë në hapjen e plagës dhe a ndërhyn në plagë për ta mbyllur atë.

Kurse dëshmitari u përgjigj se një anesteziologu as nuk e hap dhe as nuk  mbyll plagën e pacientit.

Kurse avokati i Lutfi Dervishit e as trupi gjykues nuk kishin pyetje për dëshmitarin.

Seanca gjyqësore në rastin “Medicus” po vazhdon dhe si dëshmitar i radhës pritet që të dëgjohet Dardan Imeri.

Lidhur me deklaratën e dëshmitarit Tunë Përvorfi të dhënë me 15 nëntor 2011 si dhe deklaratën e dëshmitarit Dardan Imeri të dhënë me 11 shtator 2012 është vendosur që të jenë pjesë e kësaj procedure me përjashtim të pyetjeve dhe përgjigjeve që kanë të bëjnë me provat që janë shpallur të papranueshme.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, në të cilën dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të Supremes për rigjykim.

Në seancën e shqyrtimi fillestar në korrik 2017, Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini u deklaruan të pafajshëm.