Njëzet vjet e tre muaj burg për të akuzuarit në rastin Medicus

Gjykata Themelore e Prishtinës më 29 prill dënoi me 20 vjet burg pesë të akuzuar për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor në lidhje me rastin Medicus, klinikën ku u bënë transplantimet e veshkave.

“Motivi i vetëm i këtij eksploatimi të të varfërve dhe të vobektëve ishte mundësia e një përfitimi marramendës dhe makutëria njerëzore”, tha Jonathan Ratel, në një konferencë për gazetarë, disa orë pas verdiktit të Gjykatës Themelore në lidhje me rastin që ai e drejtoi.

Lutfi Dervishi, drejtor dhe pronar i klinikës Medicus, është gjetur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz. Ai është dënuar me tetë vjet heqje lirie dhe me gjobë prej dhjetë mijë eurosh. Gjoba duhet të paguhet brenda tre muajsh nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë. Dervishit gjithashtu i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë mjekësore për dy vjet si urolog.

Arban Dervishi, i biri i Lutfiut dhe ekonomist në klinikë, është gjetur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim dhe është dënuar me shtatë vjet e tre muaj burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind euro.

Lutfi dhe Arban Dervishi janë obliguar nga gjykata që të kompensojnë viktimat me pesëmbëdhjetë mijë euro.

Anesteziologu Sokol Hajdini u shpall fajtor për lëndim të rëndë trupor duke u dënuar me tre vjet heqje lirie. Iu ndalua ushtrimi i profesionit si anesteziolog për një vit, nga dita kur aktgjykimi bëhet i prerë. Hajdini u lirua nga akuza për krim të organizuar dhe iu refuzua akuza për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Asistentë-anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula u dënuan me nga një vit dënim, për lëndim të rëndë trupor, me kusht që brenda dy vjetësh të mos bëjnë vepër të re penale.

Ilir Rrecaj, ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u lirua nga akuza për abuzim të detyrës zyrtare dhe iu refuzua akuza për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Driton Jiltës, kirurg, iu refuzua akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Gjykata në fund të prillit dha aktgjykimin e saj. Këtë e bëri pas 106 seancash gjyqësore dhe 550 orësh gjykimi të zhvilluara deri më tash në rastin ndërkombëtar “Medicus” – të shitjes së organeve të njeriut që mundësoheshin në Prishtinë.

78 dëshmitarë të prokurorisë e të mbrojtjes janë dëgjuar – 21 përmes videolidhjes. Pesë ekspertiza të ndryshme ishin bërë gjatë këtyre seancave dhe 29 dosje me mijëra dokumente në to, tanimë i posedon trupi gjykues.

Gjatë procesit, 30 kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare ishin bërë tek shumë vende të botës përfshirë Izraelin, ShBA-në, Kanadanë, Gjermaninë, Ukrainën, Turqinë, Moldavinë, Rusinë, Poloninë etj.

U vërtetua se 24 pacientë “dhuruan” veshkat e tyre dhe 24 të tjerë i morën ato.

Pacientët të cilëve iu hoqën veshkat, vinin nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani, Ukraina, Rusia, Moldavia, Izraeli, etj. Kishte edhe të tillë që nuk u njihej saktësisht nacionaliteti.

Pranuesit e veshkave, 24 pacientët e Medicus-it, vinin shumica nga Izraeli, por pati edhe nga Ukraina, Turqia, Polonia, Kanadaja, Gjermania si dhe nga vende dhe nacionalitete të pazbuluara.

Prokuroria arriti të dëshmojë se për transplantim veshkash në Medicus, vetëm nga 9 marrës të veshkave u pagua shuma prej 551 mijë eurosh dhe 208 mijë dollarësh. Për shumë të tjerë nuk dihet nëse paguan diçka për veshkat e marra.