Haradinaj: Ndaleni Presionin!

Ai në një deklarim të publikuar nga partia që drejton tregoi nenin e Kushtetutës së Kosovës që ndalon këtë presion.

“Neni 70, paragrafi i parë në lidhje me nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siguron se ndaj deputetëve nuk mund të ushtrohet presion; nuk ka mandat të detyrueshëm dhe se deputetët përfaqësojnë sovranin e votojnë,” tha Haradinaj.

Ai u bëri thirrje Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit që të mos u bëjnë presion deputetëve në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit duke kërkuar prej tyre që t’u kthehen punëve që kanë, ngase sipas Haradinajt  “pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe Kosova nuk është monarki”.

Ai edhe pse ka thënë se në Kosovë “gjithmonë ka pasur disa njerëz që për pare e për interesa kanë qenë në gjendje ta shesin edhe babën edhe nanën”, është shprehur i bindur se deputetët nuk do t’u nënshtrohen presioneve, pasi “kanë ditur që edhe nën rrethim, edhe formalisht, t’i nisin themelet e kësaj Republike”.

Haradinaj ka shprehur bindjen se “Kosova do t’i ketë kufijtë e saj, pa i marrë dhe pa i dhënë askujt”.

Më 23 gusht tre deputetët të Kuvendit të Kosovës i thanë KALLXO.com se do të votojnë sipas bindjeve të tyre për marrëveshjen e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Ata konsideruan se po u bëhet presion i dyanshëm-për dhe kundër demarkacionit.

http://kallxo.com/deputetet-vendosim-vete-per-demarkacionin/

Marrëveshja për demarkacionin do të diskutohet dhe votohet për ose kundër në Kuvend më 1 shtator. Atë ditë Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar protestë.