Ramush Haradinaj në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Kosova Shpejt do ta Ketë Qeverinë

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Ramush Haradinaj ka sulmuar “defetistët”, të cilit, sipas tij, janë ngutur edhe këtë herë për të lansuar lloj-lloj tezash për një farë krize imagjinare politike.

“Ato që i bluajnë në kokat e tyre, po mundohen t’ua mveshin të tjerëve, me shpresë se kështu mund ta ofrojnë veten si shpëtimtarë. Por ky është një mashtrim utopik ordiner!”, ka shkruar lideri i AAK-së.

Sipas Haradinajt, standardet dhe normat zgjedhore të Kosovës kanë prodhuar një rezultat “që na hapë rrugën e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo gjë do të ndodhë”.

“Përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe se sa mashtrimi utopik, dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove “futuriste”!”, shton ai..

Haradinaj premton se do t’i përveshen punës dhe do ta kthejnë mbarë këtë vend.

“Nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t’ia nisim nga e para, për tekat e askujt. Është derdhur gjak e djersë për ta krijuar këtë Kosovë, kështu siç e kemi, dhe askush nuk do ta ketë mundësinë e as fuqinë që ta rrezikojë ecjen përpara të vendit”, ka shkruar ai.

“Kosova do të bëhët dhe do ta ketë Qeverinë e saj, shpejt!”, ka shkruar ai.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, koalicioni të cilit i përket Ramush Haradinaj ka fituar më së shumti vota.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka fituar 33.92 për qind të votave, i ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.16% dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.79 për qind të votave.