Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me banorët e Shipitullës dhe Hades - Foto: ZKM

Haradinaj Arrin Marrëveshje me Banorët e Shipitullës dhe Hades

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve të Shipitullës dhe Hades sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade.

“Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas komunikatës, kryeministri Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje mundëson që ekskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

“Përveç kësaj Kosova mbi të gjitha përfiton, meqë një nga problemet e qytetarëve të saj është zgjidhur në harmoni të plotë me kërkesat e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit të shefit të Qeverisë me delegacionet e dy fshatrave të komunës së Obiliqit, me të cilët ka diskutuar edhe mbrëmë për çështjen e shpronësimit të pronave të tyre, të pasura me thëngjill.

Ka disa ditë që banorët e Shipitullës po protestojnë duke u përpjekur të pengojnë punën e ekskavatorëve të KEK-ut, të cilët sipas tyre kanë hyrë, kundërligjshëm, në zonën që i rrezikon ata dhe familjet e tyre.

Sipas banorëve që ende jetojnë pranë mihjes sipërfaqësore të thëngjillit, këta ekskavatorë nxorën thëngjill në zonën 120 metra larg shtëpive, ndërsa sipas tyre, ata duhet të punojnë në zonën e sigurisë prej 250 metrash.

Protesta lidhet edhe me shpronësimin e pronave të këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.

Më 30 gusht Qeveria në detyrë miratoi shpronësimin e 17 pronave të Shipitullës.