UP Hap Dyert për 6,869 Studentë të Rinj

“Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2017/2018 do të regjistrojë 6869 studentë, prej të cilëve 5 969 student të rregullt dhe 900 student me korrespodencë”, thuhet në konkursin e shpallur nga UP-ja.

Sipas këtij konkursi, UP-ja këtë vit akademik ka paraparë regjistrimin e 2 për qind apo 137 studentëve të rregullt që u takojnë familjarëve të dëshmorëve.

Ndërsa numri i studentëve të rregullt nga komuniteti jo- shumicë do të jetë 823 student, ndërsa numri i studentëve të rregullt që vijnë nga Mali i Zi, Medvegja, Bujanoci, Presheva, Maqedonia dhe Shqipëria do të jetë 341 studentë.

Sipas këtij konkursi, nga sot 10 korrik e deri më 17 korrik,  kandidatët për studime mund të paraqesin dokumentacionin për aplikim ndërsa provimi pranues pritet të mbahet më 19, 20 dhe 21 korrik.

Pra, me rastin e paraqitjes së provimit pranues sipas këtij konkursi, kandidati duhet të ketë me vete: ekstraktin e lindjes, dëftesat e të gjitha klasave të shkollës fillore, origjinale, diplomën e shkollës së mesme ose dëftesën e maturës , kopjen e letërnjoftimit, fletëparaqitja e plotësuar gjatë aplikimit online, pagesa 2. 5 euro dhe vendimi mbi njohjen e shkollimit jashtë vendit.

Në këtë konkurs thuhet se më datën 19 korrik, duke filluar nga ora 9:00,  mbahet provimi pranues në Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Edukimit.

Ndërsa në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe i Sportit provimi pranues do të mbahet më datën 19 dhe 20 korrik.

Më datën 20 korrik 2017, sipas konkursit do të mbahet provimi pranues në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Shkencave Matematikor  Natyrore dhe Fakultetin Ekonomik duke filluar nga ora 9:00.

E dita e fundit për provim pranues do të jetë në Fakultetin e Mjekësisë e cila është caktuar për 21 korrik 2017 nga ora 9:00.

Sipas këtij konkursi shpallja e rezultateve do të bëhet më së voni më datën 22 korrik ndërsa shpallja e rezultateve përfundimtare më 26 korrik 2017.

Kandidatët për studime kanë edhe të drejtë ankese 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare.

Në të njëjtin konkurs thuhet se Fakulteti Filozofik ka të drejtë të regjistrojë 761 studentë, Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore 672 studentë, Fakulteti i Filologjisë 697 studentë, Fakulteti Juridik 952 studentë, Fakulteti Ekonomik 1905 studentë, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 380 studentë, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 547 studentë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike 535 studentë, Fakulteti i Mjekësisë 441 studentë, Fakulteti i Arteve të Bukura 200 studentë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë 629 studentë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit 178 studentë, Fakulteti i Edukimit 273 studentë.