Gjykatës së Apelit i kanë mbetur edhe rreth 11,000 lëndë të pazgjidhura

Gjykata e Apelit për Tre Muaj Zgjidhi Rreth 3,000 Lëndë

Sipas njoftimit të kësaj Gjykate, 899 prej këtyre lëndëve ishin të natyrës civile, 406 penale të përgjithshme, 19 penale për të mitur, 178 penale – krime të rënda, 238 penale të ndryshme.

Përpos zgjidhjes së këtyre lëndëve Gjykata e Apelit njofton se ka vendosur lidhur me 633 ankesa kundër paraburgimeve, 108 lëndë administrative, 51 ekonomike dhe 229 kundërvajtje.

Nga këto të dhëna del se secili nga 34 gjyqtarët e Apelit ka kryer mesatarisht 81 lëndë në tre muaj ose nga 27 në muaj.

Pavarësisht këtij angazhimi, numri i lëndëve të pazgjidhura është 12,025, shifër kjo tejet e lartë.

Kjo ngase Gjykata e Apelit e ka filluar vitin 2017 me 11,206 lëndë të pakryera ndërsa gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 kanë ardhur edhe 3,520 lëndë të reja.

Gjykata e Apelit konsideron se e vetmja mënyrë për ta zbutur këtë gjendje është shtimi i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.

Aktualisht ky institucion është në pritje të dekretimit edhe të 4 gjyqtarëve, ndërsa janë duke u zhvilluar procedurat e rekrutimit për 5 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 10 zyrtarë ligjorë.

Megjithatë, sipas Gjykatës, edhe ky numër është i pamjaftueshëm në krahasim me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura. Andaj, thuhet në njoftim, është e domosdoshme që të shtohet numri i gjyqtarëve të paktën edhe për 15 si dhe të dyfishohet numri i bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë.

Gjatë vitit 2016, Gjykata e Apelit kishte zgjidhur 10,534 lëndë.

http://kallxo.com/apeli-zgjidh-mbi-10-mije-lende-11-mije-mbesin/