Prona me Probleme në Gjakovë

Edhe 13 vjet pas luftës banorët e disa fshatrave te komunës së Gjakovës përballen me probleme pronësore, pasi shumë prona private në kohën e ish-sistemit komunist janë bërë shtetërore.

Një numër i madh i fshatrave të komunës së Gjakovës kanë probleme me pronat, për të cilat pretendojnë se ua ka marrë sistemi i kaluar komunist, ndërsa tashti pas përfundimit te luftës i kanë kthyer në shfrytëzim, duke thënë se janë pronarë të tyre.

Këtë problem e kanë fshatrat, Gerqinë, Rugovë, Osek Pashë dhe Trakaniq.

Në këto fshatra një numër të madh të hektarëve i ka shfrytëzuar kooperativa, mirëpo pas shuarjes së kooperativës disa nga këto prona kanë kaluar në administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa disa kanë mbetur në shfrytëzim të banorëve lokalë që pretendojnë pronësinë.

Ky mospërcaktim se kujt i takojnë këto prona, ka nxitur mosmarrëveshje mes shfrytëzuesve, AKP-së dhe komunës se Gjakovës.

Këtyre shfrytëzuesve të pronave të kooperativave në fshatrat e Gjakovës nuk u jep të drejtë Zyra e komasacionit, pasi të njëjtët nuk kanë dokumente për t’u konsideruar pronarë.

Njëri nga banorët që ka një problem të tillë pronësor është Pashk Oroshi nga fshati Gerqinë, i cili për gazetën JNK deklaron se problemin e ka me AKP-në, sepse e njëjta i ka shitur pronat pa i pyetur ata si shfrytëzues fare.

Sipas Oroshit pronën prej 2 hektarësh e gjysmë që ai e ka në shfrytëzim, AKP-ja ia ka shitur një personi tjetër, ndërsa Oroshi thotë se nuk do ta lirojë atë.

Oroshi ka treguar se të njëjtën pronë në fshatin Gerqinë, personi që e ka blerë nga AKP-ja e ka lëvruar, por vetë Oroshi e ka mbjellë.

Gazeta Jeta në Kosovë, lidhur me këto prona i ka dërguar pyetje AKP-së, por nuk ka marrë përgjigje, as pas tri ditësh.

Moslëshimin e pronës pronarit të ri, Pashk Oroshi e ka arsyetuar me atë se nga AKP-ja nuk i është dhënë kurrfarë vendimi për t’u larguar, ndërsa ka shtuar se para se prona t’i takojë agjencisë, ai e ka fituar një kontest gjyqësor për të, me ndërmarrjen “Ereniku” në ish-Gjykatën Komunale në Gjakovë, menjëherë pas luftës.

Ndërmarrja “Ereniku” në Gjakovë ka shfrytëzuar hapësira të mëdha toke të kësaj komune, pasi i janë nevojitur për prodhimet e saj.

Kryetari i Komisionit për komasacion në komunën e Gjakovës, Mujë Shabani thotë se ata që pretendojnë këto toka, nuk mund të bëhen vetvetiu pronarë, pa pasur dokumente.