Një grafiti pranë Asamblesë Komunale të Pejës, si reagim ndaj një deklarate të mëparshme të kryetarit Gazmend Muhaxheri | Foto: Rron Gjinovci

Livadhet e Pejës: Simbol i Virgjërisë së Munguar

Për një “b” që ti s’e vë, fjala “mbare” bëhet “marre” dhe në Pejë je “katundare”. Peja i adhuron b-jat dhe d-jat. Poashtu zgjatimet e zanoreve. Në Kosovë thuhet “a e nive” (për “a e dëgjove”) ose “a e njeve”, por Peja vjen plot elegancë, sharm, elokuecë zanoresh e bashkëtingëlloresh me “a e ndive”. Ose në Pejë mund të të ndodhë që një pejan të të thotë “ndigom” (dëgjomë).

Pastaj emrat kanë shkurtesa të çuditshme. Valtonit natyrisht do t’i duhej vënë shkurtesa Toni apo Vali, por në Pejë Valtoni është Vaka. Taulanti është Talle. Fatosi është Falle. Pleurati është Plara. Djemtë e tezes që në Kosovë thirren mes vete “tezak”, në Pejë i drejtohen njëri tjetrit me “zaka”.

Përgjithësisht ajo që do të duhej të ishte shkurtesë e emrit në fakt nuk ka lidhje me emrin. E shoku-shokut i drejtohet me “jaro”, shkurtesë për jaran.

Po ashtu, Peja shquhet për një traditë beglerësh. Ka ende në Pejë familje të pasura e të mëdha që dikur kishin rëndësinë e tyre. Vijnë si shembuj mbiemrat që përfundojnë me prapashtesën turke “olli”. Këta konsiderohen si mbiemra të familjeve të lashta pejane.

Pastaj Peja njihet për Besëlidhjen e Pejës së Haxhi Zekës. Por, në Pejë burri është “burë”. Rr-jat s’janë mike të pejanëve. Paramendojeni Haxhi Zeka “burë mbi bura”. Në fakt “burë” është fjalë suficitare në Pejë. Pothuajse në çdo fund të fjalisë gjendet një “burë”. “Hajde burë”, “ma bre burë”, “mos jaro burë” etj.

E kur jemi te burri, në Pejë burrërinë e shenjon “llaneci”. Ky është një zinxhir i arit mundësisht i trashë sa gishti që djemtë e rinj e vendosin në qafë në këmishën e hapur deri te lukthi. Flokët e prera qel janë të preferuara për këtë stereotip buri pejan.

Birraria e Pejës | Foto: Atdhe Mulla
Fabrika e ‘Birra Peja’ | Foto: Atdhe Mulla

Edhe këtu ka çështje të hapura të debatit “urban vs rural”. Këtu “katundarëve” ua kanë bërë një shkurtesë më simpatike, i quajnë “ndara”. Ndonjëherë mendon se si do të ishte bota  po të kishin kaq shumë kreativitet për ekonomi a shkenca ekzakte shqiptarët. Me siguri do ta sundonin botën.

Por përveç karakteristikash gjuhësore e klasash, Peja ka edhe një festival ndërkombëtar të animacioneve. “Anibar Animation Festival”, në fakt, është mjaft i njohur ndërkombëtarisht dhe përbën ngjarje me rëndësi në fushën e animacioneve në rajon.

Peja është një qytet me ajër të pastër. Mespërmes qytetit gjarpëron lumi Lumbardh i cili i jep freski qytetit. Njerëzit duken gjithë shëndet, mbase për shkak të ajrit të pastër që vjen prej Alpeve shqiptare që e rrethojnë një pjesë të mirë të Pejës.

Në zgjedhjet e fundit në Pejë ka fituar Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja. Bashkë me Prishtinën, Gjakovën e Mitrovicën, ndryshimet e pushtetit lokal në Pejë përbëjnë një votë revolte ndaj korrupsionit të përfolur për vite të tëra.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri | Foto: Atdhe Mulla

Tani ishte radha të shihnim ç’do të na rrëfente për punën e tij kryetari i ri. Rreth 90 mijë banorët e Pejës përfaqësohen nga 35 asamblistë. Shumica prej tyre janë të pozitës të kryesuar nga LDK, ndërkaq AAK dhe VV janë në opozitë.

Debati fillon. Kryetari kishte premtuar shumë gjëra në bujqësi, ndër to edhe bletë për fermerët. Kishte një problem në këtë çështje se ai akuzohesh se paskësh dhënë vetëm kosheret pa bletë brenda. Por kryetari dha një shpjegim mjaft bindës.

Ai tregoi se kosherja bashkë me bletët komunës i kushtonte diku rreth 98 euro, ndërkohë që vetëm kosherja diku 48 euro. Një bletar mund t’i blinte bletët me vetëm 5 euro, ndërkohë që po t’i blinte komuna, për shkak të procedurave të tenderimit, bletët e 5 eurove do t’i kushtonin rreth 50 euro.

Kësisoj kryetari kishte vendosur që në vend të 500 koshereve të shpërndante 1000 dhe t’ua linte bletarëve blerjen e bletëve. Kjo po që tingëllonte mençur.

Më pas regjia vuri në transmetim një pjesë nga premtimet e 2013-ës. Kryetari Muhaxheri kishte premtuar 6 milionë euro investime për Rugovën, por opozita akuzonte se kjo as që ishte afër ndonjë realiteti të Pejës.

Në këto rrethana kryesuesja e përkohshme Jeta Xharra pyeti konkretisht kryetarin “Sa keni investu deri tash?” Ai u përgjigj “800 mijë”. Kryesuesja Xharra “e qysh?” – Kryetari duke buzëqeshur “qashtu se unë kam me qeverisë deri 2054-ën”. E tërë salla qesh.

Pastaj nga AAK-ja dikush akuzon për nepotizëm dhe favorizime partiake. E kryetari gjithë sportivitet thotë se ia ka ndriçuar fshatin zotërisë në fjalë dhe se ua ka shpërndarë 15 lopë bashkëfshatarëve të tij. “Ata kanë qenë bastion i AAK-së kur ua kam dhanë lopët, por ndoshta tash janë ba LDK”, tha kryetari tek lëvizte kokën gjithë qesëndi.

Sa vinte e shkonte koha e debatit, vinin e shtoheshin akuzat për kryetarin. Por kryetari ishte në një gjendje relaksimi të çuditshme. Madje ai pranonte se kishte ndryshuar planet për shumë premtime dhe se për këtë kishte një parim që ai e ndiqte, parimin “tu pa, tu bo”.

“Tu pa, tu bo” vazhdonte debati deri sa çështja erdhi te semaforët. Në të vërtetë te semafori, sepse Peja e ka vetëm një semafor. Kryesuesja Xharra duke lexuar një ankesë të një qytetari iu drejtua kryetarit “po semafori i vetëm në Pejë, pse nuk funksionon?”

Gazmend Muhaxheri dhe Jeta Xharra në debatin e Komunës së Pejës | Foto: Atdhe Mulla
Gazmend Muhaxheri dhe Jeta Xharra në debatin e Komunës së Pejës | Foto: Atdhe Mulla

Këtu të gjithë prisnim që kryetari të zihej ngushtë po ai prapë “tu pa, tu bo” erdhi me një përgjigje fantastike, tha “po duhet me riparu ka 6000 Euro se po prishet shpesh, por po mendoj në pranverë me hek krejt”. Dhe këtu salla qeshi.

Salla qeshte pa mundur të ngrinte ndonjë akuzë të dokumentuar mirë. Ndërkohë kryetari ia kishte dhënë vetes komoditetin e të qenurit joserioz. Hajde hajde me asamblistët, po me votuesit që do ta shihnin në televizor?

E vazhdoi debati deri sa mbërritën te ‘livadhet’, të cilat ishin bërë hit para do kohësh. Kryetari kur ishte pyetur në një emision se pse kishte shkelur ligjet lidhur me një shpronësim ai kishte thënë “po ani, livadhet s’jau kam shkelë”.

E afër sallës së Asamblesë së Komunës së Pejës, një grafit i një livadhi me lule mbante një mbishkrim: “Livadhet virgjine, ligjet e q*me”. Kjo ishte protesta e grafistit për këto fjalë të kryetarit.

Në fakt ky është një moment për t’u analizuar. Së pari, një njeri institucionesh si ka mundësi ta shohë më të rëndësishëm zbatimin e kanunit që nuk lejon ‘shkeljen e livadhit’ më tepër sesa zbatimin e ligjit që mund të urdhërojë shkeljen e tij?

Grafiti ka dy kuptime në fakt. Së pari është një përqeshje e kryetarit të shekullit 21 i cili për t’i ruajtur livadhet shkelë ligjet, por ndoshta autori ka shkuar edhe më thellë. Hakmarrjet e bazuara në kanun shpesh janë thirrë në shkelje livadhesh e lëvizje të mexheve (vijave ndarëse mes parcelave).

Ekziston një shpjegim se në fakt këto ishin vetëm pretekste, se në të vërtetë livadhet përherë kanë qenë virgjine, të pashkelura, por ajo që shkelej ishte kurora, nderi, kanuni pasi burrat shkonin me gratë e vajzat e njëri tjetrit dhe kështu q*heshin ligjet, nderi e kanuni.

Por livadhet e shkreta, edhe të pashkelura edhe pa atë tjetrën, mbeten përherë fajtore për shkelësit e ligjit republikan dhe shqiptarët e ndershëm kanunorë.