Lëvizja për Rrëzimin e Ajnshtajnit

Po e kundërshton teorinë e njërit ndër shkencëtarëve më të mëdhenj botërorë të shekullit 20-të.

Fizikani kosovar Shukri Klinaku thotë se nobelisti Albert Ajnshtajn, kur e ka përcaktuar teorinë e relativitetit special, ka gabuar.

Në përkufizimin e Ajnshtajnit, Klinaku kishte dyshime që kur ishte student fizike. Tash, thotë ai, edhe ka arritur ta vërtetojë paqëndrueshmërinë e saj.

45 vjeçari, i lindur në Mazgit të Obiliqit, i ka publikuar pozicionet e tij në librin “Lëvizja relative, shpjegimi i drejtë dhe gabimet e Ajnshtajnit”, disa javë më parë.

“Mendoj se nuk është vetëm një gabim në teorinë e Ajnshtajnit, por ka gabime nga A deri në ZH”, thotë Klinaku. “Krejt teoria e relativitetit special është gabim i Ajnshtajnit, i cili është jo ndërtues por trashëgimtar i kësaj teorie”.

Sipas tij, teoria e relativitetit special e Ajnshtajnit është gabim që në përkufizim.

“Kjo teori pretendon ta shpjegojë lëvizjen relative. Lëvizja relative është jo aq e ndërlikuar siç e paraqet teoria e relativitetit special dhe jo aq e komplikuar siç i thuhet opinionit e siç i thuhet fizikanëve”, shton ai.

Është një shkollë e studiuesve që besojnë në magjinë e thjeshtësisë. Edhe Klinaku beson se relativiteti është më shumë i thjeshtë dhe u komplikua nga njeriu me të cilin u identifikua shekulli i kaluar. “Ne përditë kemi të bëjmë me lëvizjen relative. Pra po të ishte aq e komplikuar, ne në çdo hap do të hutoheshim”, thotë ai.

Pastaj, shton studiuesi i njohur më shumë në vend për aktivitetin e tij politik, teoria e relativitetit special përcillet me gabime tjera që pasqyrohen në fund edhe në formula matematikore. Klinaku thotë se ka shpjeguar në librin e tij gabimet e Ajnshtajnit në këto formula.

Por ky libër, në mëngjesin e tij, nuk është pritur aq mirë nga kolegët fizikanë të Shukriut në universitetin e Prishtinë.

“Prej studentëve është pritur me habi, me kureshtje”, tregon Klinaku. “Më shumë më ka pengu fakti që shumica e kolegëve fizikanë kanë dhënë një qëndrim jo normal, që ishte njëfarë refuzimi i pakuptueshëm. Duhet së pari ta studiojnë që pastaj të japin vlerësime. Mirëpo edhe kjo flet për gjendjen jo normale që mbizotëron në arsim e në shkencë në Kosovë”.

Ish-nënkryetari i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), vlerëson se idetë përqeshen dhe nënçmohen por pak analizohen në shoqërinë tonë.

“Po të ishte më mirë i organizuar arsimi, universiteti, fakulteti, shkenca edhe kjo ide e imja shumë më mirë do të trajtohej. Këshilli Kombëtar i Shkencës, Ministria e as Akademia e Shkencave nuk japin ide për të zhvilluar shkencën, janë për mjerim”, shprehet ai, derisa pohon se në Tiranë libri i tij është pritur më mirë

Klinaku kërkon që libri i tij të mos merret si hajgare as në Kosovë.

“Nuk po kërkoj të më duartrokasin e as të më besojnë. Kurrsesi. Unë do të isha i lumtur që ata të lexojnë librin e të japin pastaj gjykim, e jo gjykim pa e lexu ose gjykim për personin si dhe për sene të dorës së katërt a të tjera”.

Shukriu i ka edhe dy vëllezër të popullarizuar – këngëtarin Hysni Klinaku dhe Avni Klinakun i cili është kryetar i Lëvizjes për Bashkim.

Sa i përket politikës thotë se gjendet në “divizionin e tretë”, si anëtar i këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim (LB), pasi duket që prioritet për të më shumë ka qenë fizika.

Doktor Shukri Klinaku ka 13 vjet që punon në Universitetin e Prishtinës. Dhe ai thotë se ka punuar afër 20 vjet deri sa ka ardhur te konstatimet që i ka vënë në libër, që ia kanë mundësuar tash edhe publikisht ta sfidojë askënd me pak se Albert Ajnshtajnin.