Ismet Peja. Foto: Facebook/KK Gjakovë

Ismet Peja, një jetë kushtuar këngës shqipe

Këngëtari Ismet Peja ka vdekur sot në moshën 83-vjeçare. Ai lindi në Gjakovë, më 27 prill 1937. U shkollua në Gjakovë, ndërsa në Sarajevë ndoqi studimet për muzikë.

Emri i Ismet Pejës lidhet ngusht më këngën popullore shqipe.  Është një prej këngëtarëve më të vlerësuar të këngës shqipe, sidomos i këngës qytetare. Duke qenë pjesëtar i një familjeje me tradita muzikore, Ismet Peja filloi të merret me muzikë qysh në moshën e fëmijërisë.

Për më shumë se 5 dekada i pushtoi skenat e shumta të muzikës shqiptare, me zërin dhe interpretimin e tij, sidomos me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta edhe në TVP dhe Radio Prishtinë.

Në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit” publikoi albumin e parë muzikor.

Fondi i këngëve të Ismet Pejës përfshin perlat më të njohura të muzikës shqiptare sot. Ai interpretoi në festivale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, në dasma e ahengje familjare.

Deri më sot, Ismet Peja ka publikuar një numër të madhe albumesh, CD e videokaseta me këngë të njohura.

Këndoi përkrah emrave të njohur të muzikës shqiptare.

Këngët e interpretuara nga Peja, si:  “Sarajeva qytet i bukur”, “Një ditë maji”, “Fustani me pika”, “Robi plaket kur don vet”, etj. mbeten prej perlave të muzikës shqipe.

Ismet Peja është varrosur në varrezat e qytetit në Gjakovë.