Agim Veliu - FOTO KALLXO

'Përmbysja politike' e Agim Veliut në Podujevë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të Podujevës më 29 nëntor të këtij viti, e nxorën fitues pa balotazh Shpejtim Bulliqin e Lëvizjes Vetëvendosje, por protagonist pas rezultatit nuk u bë Bulliqi, por ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu.

Kalimi Agim Veliut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës në post qeveritar në fillim të këtij viti, e dërgoi komunën e tij në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por kjo i kushtoi LDK-së dhe Agim Veliut me humbjen e njërit prej bastioneve kryesore të tyre – komunën e Podujevës.

Fillmisht, Agim Veliu ishte bërë pjesë e kabinetit qeveritar me kryeministër Albin Kurti në kuadër të koalicionit LVV-LDK pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, qeveri kjo e cila mori miratimin nga Kuvendi i Kosovës më 3 shkurt të këtij viti.

Por pak javë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu u shkarkua nga kjo pozitë me vendim të kryeministrit të athershëm Albin Kurti.

Krejt kjo situatë erdhi në kohën kur pandemia COVID-19 nisi të shtrihet edhe në Kosovë, përderisa Kurti arsyetoi vendimin e tij pas një deklarate të Veliut, që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për shkak të infektimeve me COVID-19, qëndrim ky i njëllojë me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Si njëri nga zyrtarët më me ndikim në partinë e tij dhe personi i afërt i kryetarit Isa Mustafa, Agim Veliu u bë “sebep”, që LDK-ja të kërkonte prishjen e koalicionit me LVV-në, duke inicuar mosbesim ndaj ekzekutivit, i cili rezultoi i sukseshëm më 25 mars 2020, pas vetëm 50 ditësh në pushtet.

Pas shumë zhvillimeve politike këtë pranverë, LDK-ja u kthye në pushtet me mandat të plotë më 3 qershor, duke bërë koalicion qeverisës me subjektet e tjera politike parlamentare, përveç LVV-së dhe PDK-së.

Me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së, në karriken e ministrit të Brendshëm u ulë sërish Agim Veliu.

Megjithëse nga një pozitë qeveritare, Agim Veliu ashtu si dhe LDK-ja shprehnin bindjen për vazhdimin e qeverisjës në Podujevë, me kandidatin Nexhmi Rudari, i cili deri më tani ka qenë nënkryetar i komunës. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ish-kreyetari të dielën në mbrëmje pranoi publikisht humbjen në Podujevë.

“Ky është vullneti i popullit, ne sigurisht çdo rezultat që është i verifikueshëm ne do ta pranojmë por ne presim që të numërohen të gjitha votat. Unë besoj që në çfarëdo zgjedhje LDK do të rikthehet, ne kemi potencial dhe jemi të përkushtuar që të punojmë, pa rreshtur siç kemi punuar këto 30 vite”, tha ai në kohën e publikimit të rezultateve preliminare për Podujevën.

Humbja e LDK-së në Podujevë u pa si përgjigje e qytetarëve ndaj keq-qeverisjes, por u ndërlidh edhe me aktivitetin politik të Veliut në nivelin qendror.

Ndërkohë këto zgjedhje janë një indikator i rëndësishëm për zgjedhjet e hershme parlamentare, mbajtja e të cilave po kërkohet nga ngulm nga Vetëvendosje.

Aktivitetet politike të Agim Veliut

Emri i Agim Veliut ka qenë në vazhdimësi i përmendur në zhvillimet më të mëdha politike në Kosovë kohëve të fundit.

Ai ishte njëri prej zyrtarëve të LDK-së, që kundërshtonte koalicionin e partisë së tij me LVV-në e Albin Kurtit.

Emri i Veliut ishte i shumë diskutuar edhe në zhvillimet brenda partisë, kur LDK-ja vendosi ta përjashtonte nga strukturat udhëheqëse, ish-nënkryetaren tash presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte dalë kundër qëndrimeve të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Veliu e Osmani kanë qenë protagonistë të shumë akuzave publike që i bënin njëri-tjetrit.

Në anën tjetër, karriera politike e Veliut është e lidhur ngushtë me LDK-në dhe Podujevën, vendlindjen e tij.

Me profesion jurist, Veliu që nga viti 1990 ka qenë në pozita udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Podujevë, ku tani ai është kryetar.

Sipas një biografie të Veliut në ueb faqen e MPB-së, Në vitin 1998 ai u zgjodh si deputet në parlamentin e Kosovës. Në zgjedhjet e para pas luftës në vitet 2000, ai u zgjodh kryetar i kuvendit komunal të Podujevës. Veliu ka qenë kryetar i Podujevës nga viti 2000 deri në vitin 2002, në të cilën pozitë u ri-zgjodh në vitin 2002.

Në vitin 2004 ai e kishte lënë pozitën e kryetarit të komunës pasi qeveria i kërkoi të merrte pozitën e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës. Në zgjedhjet e vitit 2007 ai ishte deputet.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ai kandidoi për kryetar të Komunës së Podujevës, ai u zgjodh përsëri si kryetar. Në zgjedhjet e fundit amë 2017, ai gjithashtu fitoi zgjedhjet lokale për pozitën e kryetarit, për t’u larguar më 2020-n për t’u bërë pjesë e qeverisë Kurti.

Agim Veliu aktualisht është edhe njëri prej tetë nënkryetarëve të LDK-së.