Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Komuna e Prishtinës i jep kuptim 'kërkesës për rishqyrtim'

Komuna e Prishtinës është ndër komunat e pakta që i ka dhënë kuptim dyshkallshmërisë së ankesave në prokurimit publik. Ajo në tenderin për sigurimi fizik të objekteve të saja e ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës dhe e ka kthyer procesin në rivlerësim pas kërkesës për rishqyrtim që kishte bërë njëri nga operatorët që ishte në garë.

Siç ka shkruar KALLXO.com, në pjesën më të madhe të komunave, përkundër shumë ankesave nga operatorët ekonomikë, në mbi 95% të rasteve vendimi në shkallën e parë të ankesës ishte negativ për këta operatorë. Ndërkohë që pas ankesës në OSHP shumë nga vendimet ishin në favor të autoriteteve kontraktuese.

Me ndryshimin e Ligjit të Prokurimit në vitin 2016 për herë të parë u mundësohet operatorëve ekonomikë që të bëjnë kërkesë për rishqyrtim në autoritetin kontraktues. Kjo njihet si shkallë e parë e ankesës, para se OE-të t’i drejtohen Organit Shqyrtues të Prokurimit që lëshon vendime të plotfuqishme.

Tenderi që ishte objekt i shqyrtimit në shkallën e parë, siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik kishte të bënte me sigurim fizik të objekteve. Tenderët e sigurimit fizik janë një ndër aktivitetet e prokurimit ku ka më së shumti ankesa nga operatorët ekonomikë, por edhe paqartësi për shkak të kërkesave që dalin nga Ligji i Prokurimit dhe ai i Punës.

Edhe në këtë tender, kompanitë kanë kërkuar disa herë sqarime nga Komuna e Prishtinës për mënyrën e kalkulimit të orëve të punës, duke i inkorporuar edhe të gjitha obligimet që dalin nga Ligji i Punës. Komuna e Prishtinës i ka dhënë disa sqarime para se të pranonte ofertat nga kompanitë e sigurimit sa i përket mënyrës së kalkulimit të orëve, pasi kjo është ankesa kryesore nga operatorët ekonomikë nëpër tenderë të ngjashëm që ndikon në zvarritjen e tyre.

Pas pranimit të ofertave, Komuna e Prishtinës e kishte publikuar njoftimin për dhënie të kontratës më 2 mars të vitit 2018, ku grupi i operatorëve ekonomikë fitues ka qenë, “K.S.AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”. “Komtel ProjectEngineering” është në pronësi të Vegim Gashit, ish kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës. Kjo parti aktualisht është në bashkëqeverisje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 439 mijë e 401 euro.

Rishqyrtimi i parë i ankesave të operatorëve ekonomikë nga Komuna e Prishtinës

Pasi Komuna e Prishtinës bëri rekomandimin për dhënie të kontratës, operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “AlphaPrivate Security&“SAS” më 6 mars janë ankuar kundër këtij vendimi për të rekomanduar për kontratë operatorët ekonomikë “AS – Security & Komtel Project Engineering”.

Zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës, sipas kërkesës për rishqyrtim të dy operatorëve ekonomikë ka vendosur që të aprovohet si pjesërisht e bazuar kërkesa për rivlerësim kundër njoftimit për dhënie të kontratës më 2 mars.

Pretendimi i dy operatorëve ankues ka qenë se operatori ekonomik fitues nuk ka dhënë dëshmi lidhur me kopjet e licencave për punëtorët e angazhuar (para njoftimit për dhënie të kontratës).

“Autoriteti kontraktues vendos që Komisioni i Rivlerësimit të ri-ekzaminojë edhe një herë ofertën e grupit të operatorit ekonomik të ‘AS – Security & Komtel Project Engineering’ lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Sigurimi Fizik i Objekteve të Komunës së Prishtinës’ dhe të kërkojë nga i njëjti dëshmitë për punëtorët e licencuar sipas kërkesave në Formularin e Dosjeve të Tenderit (FTD)”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

Operatorët kanë pretenduar se “As & Komtel” nuk e ka sjellë vërtetimin tatimor dhe vërtetimin nga gjykata. Komuna e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën për këtë pretendim, pasi sipas saj operatori ekonomik fitues ka sjellë dëshmitë e kërkuara dhe se ato janë në dosje.

Edhe për pretendimin e tretë të operatorit ekonomik ankues, Komuna e Prishtinës ka ardhur në përfundim se nuk qëndron.

“Për sa i përket pretendimit të operatorëve ekonomik lidhur me pjesën C të formularit të FDT-së se operatori ekonomik fitues nuk e ka plotësuar, autoriteti kontraktues thekson se kjo nuk qëndron për shkak se operatori ekonomik fitues ka plotësuar pikën 6 të formularit të tenderit së bashku me partnerin në konzorcium duke vënë identitetin e partnerit konzorcionues”, potencohet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

Me 20 mars është bërë njoftimi për anulimin e dhënies së kontratës. Ky anulim është bërë pas rishqyrtimit të bërë nga Komuna e Prishtinës.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë, pasi i ka kërkuar dokumente shtesë kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Rishqyrtimi i dytë i ankesave 

Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Sigurimi Fizik i Objekteve të Komunës së Prishtinës” ishte me 4 prill. Por kjo kontratë nuk u nënshkrua për shkak se me 29 mars u mor vendim për pezullim të këtij aktiviteti të prokurimit.

Edhe kësaj here, grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security”, “SAS” dhe “Rojet e Nderit” janë ankuar kundër vendimit të autoritetit kontraktues- Komuna e Prishtinës për dhënie të kontratës.

“Zyrtari përgjegjës i Prokurimit i Komunës së Prishtinës duke vendosur sipas kërkesës për rishqyrtim të datës 28.03.2018 të parashtruar nga operatorët ekonomikë: grup i operatorëve ekonomikë: Kompani e sigurimit Alpha Private Security “SAS” Sh.p.k. dhe Operatori Ekonomik “Rojet e Nderit” sh.p.k., ka vendosur që të pezullohet aktiviteti i prokurimit ‘Sigurimi Fizik i Objekteve të Komunës së Prishtinës’, kundër njoftimit për dhënie të kontratës të autoritetit kontraktues të datës 22.03.2018”, thuhet në vendimin e autoritetit kontraktues – Komuna e Prishtinës.

Me 30 mars zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur në lidhje me kërkesën për rishqyrtim. Është vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e dy operatorëve ekonomikë ankues për rivlerësim e parashtruar kundër njoftimit për dhënie të kontratës me 22 mars.

Të pakënaqur me vendimin e dytë të Komunës së Prishtinës, “Rojet e Nderit” janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke e detyruar komunën që sërish të pezullojë aktivitetin e prokurimit më 10 prill.

“Zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës sipas ankesës së datës 10.04.2018 të parashtruar nga operatori ekonomik ‘Rojet e Nderit’ sh.p.k, në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Sigurimi Fizik i Objekteve të Komunës së Prishtinës” ka pezulluar këtë aktivitet të prokurimit kundër njoftimit për dhënie të kontratës të autoritetit kontraktues të datës 22.03.2018”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

Seanca e OSHP-së

“Rojet e Nderit” në OSHP janë ankuar se oferta 1.52 euro për orë e ofruar nga kompania e rekomanduar për kontratë nuk arrin të plotësojë kërkesën për pagën bazë prej 230 eurove që e ka kërkuar Komuna e Prishtinës.

“Do doja të shtoj se me kërkesën tonë ATK ka bërë një modul online ku ndër to është kalkulimi i pagës dhe përmes kësaj mund  të shihet se me çmimin e ofertuar të operatorit ekonomik fitues nuk arrihet paga 230€ bruto. Operatori ekonomik nuk plotëson as elementin bazë- Trustin Pensional, e lëre më edhe TVSH-në. Ekspertit nuk di a i ka ikur ky detaj, por çmimi online mund të analizohet dhe ky çmim është nën çdo kriter të autoritetit kontraktues”, ka thënë Hasani në seancën e OSHP-së.

E përfaqësuesja i Komunës së Prishtinës, Verona Sekiraqa ka thënë se pajtohet me mendimin e ekspertit shqyrtues për të vazhduar me procesin e prokurimit. Ajo ka thënë se pretendimet e operatorit ekonomik “Rojet e Nderit” nuk janë të qëndrueshme.

“Komisioni vlerësues ka konstatuar se çmimi i ofruar nga operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë është në pajtim me kërkesat e autoritetit kontraktues , e të njëjtën gjë e ka vërtetuar edhe eksperti shqyrtues”, tha Sekiraqa.

Ajo ia shpjegoi panelit të OSHP-së vendimin që e kishin marrë pas kërkesës së parë për rishqyrtim.

“Sa i përket vërtetimit të ATK-së dhe certifikatës, ankesa e operatorit ekonomik është aprovuar pjesërisht dhe është kthyer lënda në rivlerësim, me të cilin rast është kërkuar nga operatori ekonomik sqarim, ku është plotësuar lënda me certifikatë dhe vërtetim nga gjykata”, tha ajo.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk e ka publikuar vendimin për këtë proces të prokurimit.