Tryeza për librat e historisë dhe edukatës qytetare | Foto: KALLXO.com

FDH: Për Gjykimet e Krimeve të Luftës të Mësohet në Shkolla

Në një tryezë të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ku u diskutua rreth ballafaqimit me të shkuarën nëpër tekste shkollore, Bekim Blakaj kërkoi që një kapitull i Edukatës qytetare t’u kushtohet gjykimeve për krime lufte.

“Edukata qytetare do të ishte lënda më e përshtatshme që të përmbante një kapitull mbi drejtësinë tranzicionale ku të rinjtë do të informoheshin për gjykimet për krime lufte”, tha Blakaj.

Ai më tutje tregoi se çfarë do të përmbante ky kapitull.

“Të rinjtë do të informoheshin si organizohen ato, pse janë aq të pakta, pse nuk ka mundësi të bëhet më shumë, për mekanizmat për nxjerrjen e të vërtetës, siç janë komisionet e së vërtetës, për dëmshpërblimet ndaj viktimave dhe për reformat institucionale”, tha Blakaj.

Në dokumentin e politikës së avokimit për përfshirjen e drejtësisë tranzicionale në plan-programet zyrtare të shkollës së mesme i hartuar në vitin 2015 thuhet se në Kosovë nxënësit kanë një vizion të shtrembëruar të ngjarjeve të luftës.

“Ata në masë të madhe i mbivlerësojnë dëmet e lidhura me luftën, kur iu është shtruar pyetja lidhur me këtë, disa nxënës sinqerisht janë përgjigjur se ata kanë menduar se konflikti ka rezultuar me mbi 300 mijë vdekje”, shkruhet në këtë dokument.

Arbër Salihu, themelues i Asociacionit të Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës dhe po ashtu koordinator për lëndën e historisë në MASHT tha se në librat e historisë ka pasaktësi rreth viktimave të luftës, pasi sipas tij ato libra janë shkruar menjëherë pas luftës kur nuk ka pasur të dhëna të sakta për viktimat.

Kurse Bajram Shatri, drejtori i shtëpisë botuese “Libri Shkollor”, tha se librat e historisë në Kosovë i shkruajnë të vjetrit, ndërsa sipas tij ato duhet ta marrin guximin t’i shkruajnë të rinjtë.

Shatri u shfaq i zhgënjyer edhe me ministrat e deritashëm të arsimit.

“Kam vërejtje te MASHT-i, çdo ministër që ka ardhur na ka thënë me ndërru diçka. Në Europë ekzistojnë librat alternativë dhe mësuesi zgjedh se cili libër duhet të përdoret”, tha ai.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) mendon se edukimi i nxënësve të shkollave të mesme lidhur me drejtësinë tranzicionale është i një rëndësie të madhe me qëllim që atyre t’u mundësohet për të zhvilluar shkathtësitë e nevojshme të qytetarisë aktive.

Që nga viti 2011, si pjesë e Programit të Drejtësisë Tranzicionale, FDH Kosovë ka implementuar Programin e Edukimit Joformal mbi Trajtimin e së Kaluarës, përmes të cilit mban punëtori edukuese në shkollat e mesme anekënd Kosovës.

Muajin e kaluar në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës është hapur Qendra Dokumentuese me video e dokumente nga gjykimet e Tribunalit të Hagës.