Rifillimi i dialogut, pritjet dhe skepticizmi për fatin e të zhdukurve dhe kthimin e të zhvendosurve

Pas 20 muajsh të pezullimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel të enjten, për të rifilluar procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Sipas deklarimeve zyrtare pas takimi thuhet se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa një raund i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është paralajmëruar në fillim të muajit shtator të këtij viti.

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur shqiptarë pas luftës së fundit në Kosovë, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve dhe e organizatave të ndryshme në Kosovë. Por edhe pse për një gjë të tillë janë dhënë zotime, vlerësohet e pakët puna në këtë drejtim.

Në anën tjetër, kërkesë e Serbisë është kthimi i të zhvendosurve serbë pas luftës në Kosovë dhe fati i të vrarëve serbë po ashtu.

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut dhe çështje të luftës shfaqin pritjet por edhe skepticizimin për rezultate konkrete rreth të pagjeturve, 20 vjet pas luftës. Ndërkohë, të njëjtit flasin edhe për përgjegjësitë dhe kufizimet shtetit të Kosovës për kthimin e të zhvendosurve të serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve tjera.

Deklarimet pas takimit në Bruksel

Pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësusit e lartë të BE-së, kryeministri i Kosoëvs, Avdullah Hoti deklaroi se njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi.

“Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”, shkroi mes tjerash Hoti në Facebook.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit tha se një nga temat e këtij takimi ka qenë ekonomia dhe të zhdukurit e luftës.

Ai ka shtuar se nuk kanë pasur qëndrime të njejta sa i përket kërkesave për dialog dhe se sipas tij, Hoti ka folur për dëmshpërblime të luftës.

“Nuk jam i sigurt që të gjithë e kuptuan që ekonomia duhet të diskutohet. Disa erdhën të flasin për dëmshpërblime të luftës … Unë refuzova dhe thashë që nuk kishte asnjë pikë për të folur për të,” u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel, raporton b92.

“Shqiptarët kërkuan që të hapen të gjitha arkivat ushtarake dhe policore. Ne thamë se nuk ka probleme me çështjen e personave të zhdukur dhe personave të zhvendosur brenda vendit, por Serbia kërkoi hapjen e arkivave të të ashtuquajturës UÇK, kështu që ne mund të shohim se ku janë serbët dhe jo-shqiptarë të tjerë që u vranë”, citohet të ketë thënë Vuciq.

Ndërsa, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel, raportoi REL.

Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.

Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.

“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, tha Lajçak.

Kërkohet zbardhja e fatit të të zhdukurve

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Behxhet Shala, thotë për KALLXO.com se është skeptik për ndonjë lëvizje drejt zbardhejs së fatit të të pagjeturve.

“Është dashur që të sensibilizohet shumë më herët, për kundër faktit që ka qenë një komision nga Kosova që kanë pasur në takimet me të Serbisë. Mirëpo deri më tani kjo nuk ka dhënë asnjë rezultat apo fare rezultate. Jam skeptik që mund të ketë ndonjë lëvizje, për faktin që përderisa nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike, çështja e të pagjeturve do të mbetet nën hijen e asaj marrëveshje dhe nuk do të ketë informacione”, tha ai.

Kurse, drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humnitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë për KALLXO.com se e kanë mirëpritur rifillimin e dialogut me temën e të zhdukurve gjatë luftës.

“Më vjen mirë që kjo është ndër temat e para në rikthimin e dialogut sepse ne në Fondin për të Drejtën Humanitare vite me radhë e kemi përmend që zbardhja e fatit të përsonave të zhdukur duhet me qenë në agjendën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu bashkëpunimi juridik në procese gjyqësore për krime lufte. Është një shenjë e mirë që dialogu po rifillon me këtë temë”, u shpreh ai.

Sa i përket temës së të zhvendosurve, Behxhet Shala (KMDLNj), thekson se Serbia po e kërkon kthimin e tyre, pasi ka deklaruar se më shumë se 100 mijë serbë janë shpërngulur nga Kosova pas luftës.

“(Serbia) e ka për qëllim që pjesën dërrmuese të tyre ta kthejë edhe pse është problem të kthehen ata tashmë, pasi nuk ka gatishmëri. Shteti i Kosovës nuk ka obligim t’u sigurojë vendbanimet të zhvendosurve, për faktin se sidomos pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, Kosova ka  investuar në të gjitha shtëpitë  e serbëve që kanë qenë të zhvendosur pas luftës, i ka ndëruar ua ka plotësuar kushtet, ka ndërtuar lagje, banesa e shtëpi, mirëpo ata nuk janë kthyer asnjëherë. Ato shtëpi më pas ose janë shkatërrur ose janë shitur pronat”, thotë Shala për KALLXO.com.

Sipas tij, tash nuk ka asnjë rrezik për asnjë pjesëtarë të asnjë komuniteti, serbë apo romë që janë shpërngulur që të kthehen në Kosovë, “sepse nuk rrezikohet as siguria e tyre dhe as liria e lëvizjes.

Kurse Bekim Blakaj (FDH) thotë se në fond nuk janë marrë me dokumentimin e personave të zhvendosur, por siç shprehet ai, është evidente që është një numër shumë i madh i serbëve, dhe jo-shqiptarëve të tjerë të cilët e kanë lëshuar Kosovën menjëherë pas luftës.

“Nuk dimë në numra sa janë ata dhe nuk dihet statusi i tyre në kuptimin se a janë kthyer, a është e qartë që procesi i kthimit ka dështuar, kthimi ka ndodhë veç në disa vende që janë rurale nëpër fshatra dhe nuk e dimë sa ka qenë i qëndrueshëm ai kthim. Por edhe kjo duhet me qenë temë e dialogut”, tha Blakaj për KALLXO.com.

Sipas tij, çështja e të zhvendosurve duhet të trajtohet si çështje humanitare “sepse secili i zhvendosur, secili refugjat ka të drejtën mu kthy në vendine vet dhe Kosova duhet të ballafaqohet edhe me këtë çështje”.