Blakaj: Nuk është vënë drejtësi as për 1% të viktimave të luftës

Javë më parë në opinion u hap tema e amnistimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se për 20 vite vetëm 41 persona janë dënuar për krime lufte në Kosovë.

“Vitin e kaluar kemi bërë një raport që ka treguar se për 20 vjet janë 41 persona që janë dënuar me aktgjykim të plotëfuqishëm pra prej instancës së fundit për krime të luftës në Kosovë”, tha Blakaj.

“Është fjala para gjykatave në Kosovë, përiudhën UNMIK, EULEX edhe tash. Para Tribunalit të Hagës janë dënuar 8 persona për krime të luftës në Kosovë, 6 serbë dhe dy shqiptarë, në Serbi janë rreth 17-18”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pas 20 vitesh nuk ka ende drejtësi për viktimat.

“Mundem me konkludu që pas 20 vjetëve, as 1 për qind e viktimave nuk kanë pasur drejtësi. Për fat të keq, pas një lufte apo pas një regjimi kurrë nuk janë gjykuar të gjithë ata që kanë bërë krime”, ka shtuar Bekim Blakaj.

.