Një fotografi rikthen mijëra dhimbje

Një fotografi e shfaqur në ambientet e Kuvendit të Kosovës të enjten, freskoi dhimbjen e mijëra grave shqiptare që janë dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë viteve 1998-1999.

Imazhi drithërues që shfaqte një grua teksa po “përdhunohej” nga tre persona me uniformë ushtarake, rrethuar me individë të tjerë të cilëve u mbaheshin armët në kokë, për deputeten e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Flora Brovina, u tha të jetë provë  e dhunës seksuale nga koha e luftës.

Duke mos mjaftuar shoku që përjetuan viktimat, familjarët e tyre dhe tërë opinioni publik në Kosovë, mbrëmjen e së enjtes u vë në pikëpyetje vërtetësia e fotografisë, pasi i raportua të jetë shkëputur nga përmbajtje filmike pornografike.

I papranueshëm, i padrejtë, i neveritshëm, i turpshëm dhe goditje e rëndë për viktimat e dhunës seksuale, u quajt mes tjerash veprimi i deputetes Brovina nga përfaqësues politik, organizata për mbrojtjen e viktimave të luftës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

“Ma plasët zemrën”, ishte reagimi për zhvillimet e një dite më parë, i të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila i tregoi botës për tmerrin që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në anën tjetër, Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se dimensioni i ndikimit negativ në shoqëri nga fotografia, nuk ka fjalë të përshkruhet.

“Fillimisht kemi reaguar kur ka dal fotoja me skena fizike të dhunshme, të cilat familjarët e  të mbijetuarve dhe fëmijët e tyre kanë arritur ti shohin sa kanë qenë në mediat kosovare.  Kemi pas një numër të telefonatave prej viktimave që vijnë në organizatë dhe prej vet të mbijetuarve që kanë qenë duke i marr shërbimet.

Sipas Rushitit, dyshimet se imazhet mund të jenë marr nga rrjete sociale i kanë rikthyer dhe i kanë hapur plagët e luftës edhe një herë te të gjithë familjarët dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Kjo kulmon pikërisht në fazën kur ne ishim në arritje, me Vasfije Krasniqi-Goodman për ta adresuar të vërtetën e dhimbshme të Kosovës, qoftë në Kongres Amerikan apo në audienca të tjera ndërkombëtare”, shprehet ajo.

Rushiti ndër të tjerash bënë apel në shoqërinë që të mos mungojë asnjëherë përkrahja për viktimat e dhunës seksuale, pasi siç e përshkruan ajo, të njëjtat janë në gjendje të rëndë emocionale.

“Sido që të jetë, unë ju ftoj që gjithë kjo amulli e djeshme dhe ky zhvillim negativ që ndodhi dje mos me na lanë me rrënu një kauzë 20 vjeçare që është më e lavdishmja dhe që ka pas rezultate konkrete si dhe është shërbyer si model për vendet e tjera që kanë dalë nga lufta”, shtoi zëri i viktimave.

“Ju lus që të dërgojmë mesazh pozitiv te ato që sot janë strukë, po çajnë, janë mbyllur nëpër dhoma, ndihen të rrezikuara, që ne i përkrahim dhe se institucionet e Kosovës do t’ua ofrojnë të gjitha mundësitë që i kanë të parapara me ligj, duke filluar prej pensionit dhe kështu me radhë”, thotë tutje Rushiti për Gazetën JnK.

Ndërkaq, drejtori i  Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLCK), Bekim Blakaj, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se publikimi i një fotografie të tillë nga një përfaqësuese e popullit, është e papranueshme.

“Është e papranueshme që fotografi të tilla, qofshin autentike, qofshin të montuara ose nga vende të tjera të botës nuk duhet të përdoren sidomos prej përfaqësuesve të institucioneve aq më pak në hollin e Kuvendit”, theksoi ai.

Blakaj shtoi se prokuroria është adresa ku duhen dërguar  materiale të tilla.

“Nëse zonja Brovina ka pasur një fotografi të tillë për një kohë kaq të gjatë është dashur ta dërgojë atë në prokurori, prokuroria është adresa e duhur ku duhet të dërgohen provat e tilla duke përfshirë fotografi, audio-incizimet dhe video-incizimet”, ka thënë Blakaj.

Mbi 20 mijë gra kosovare besohet se janë dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës, por drejtësia nuk ka zënë vend për asnjë rast, edhe pse kanë kaluar dy dekada nga lufta.

Ndërkaq, sipas Bekim Blakajt, nxjerrja e një fotografie të tillë në publik, do të dëmtojë një proces të mundshëm gjyqësor në të ardhmen, kundër krimeve serbe në periudhën e luftës.

Skandali i fotografisë

Ishte seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtoheshin disa nisma për dënimin e gjenocidit serb në vend, kur deputetja e PDK-së, Flora Brovina kishte vendosur që të publikonte pamje, që sipas saj ishin dëshmi të dhunës seksuale në vitet ‘98-99.

Përderisa iu drejtua gazetarëve me fotografinë në dorë, Brovina tha se ka fakte për të dëshmuar për krimet e luftës në Kosovë.

“Kemi fakte të gjenocidit në Kosovë…Sikur neve na është mbyllur goja dhe mundësia për t’i folur këto gjëra. Në qytete të mëdha kanë ekzistuar punkte të veçanta për dhunime. Një dëshmi është kaseta që i është gjetur një ushtari serb, me akte të dhunimit është bërë me rrobat e përgjakura të grave”, tha ndër të tjerash deputetja.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila e kritikoi kolegen e saj Brovina si dhe kërkoi nga mediat të heqin fotografinë.

“Zonja Brovina, më vjen shumë keq po është komplet e padrejtë që u bo ajo, shihet viktima po thu që është gjallë imagjinoni si ndihet ajo, kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ai person, nuk e di a ke qellu ti met t’pa dikush në qatë gjendje, këto gjana duhet me u marrë me përgjegjësi”, tha Bogujevci.

Por Brovina nuk u ndal me kaq.

Deputetja sërish shfaqi një tjetër fotografi,në foltore të Kuvendit, të një vajze 7 vjeçare që sipas saj ka vdekur pas dhunës që i është shkaktuar në luftë.

“Ky fëmijë me lejen e prindit, nanës dhe familjes e dëshmoj se ka vdekur gjatë dhunimit. 7 vjeç vajzë. Le të traumatizohet kush të dojë, por e vërteta le të mbërrijë atje ku duhet. Ajo është akuza për gjenocid”, tha Brovina, teksa në dorë mbante fotografinë.

Pak orë  pasi deputetja e PDK-së, Flora Brovina shfaqi fotografinë e parë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se do të nisë hetimin për zbardhjen e këtij rasti.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria Speciale nuk ka pasur informacion paraprak për këtë rast.

Mbrëmjen e së enjtes, mediat vendore në Kosovë, raportuan se fotografia e publikuar nga Brovina është marr nga ueb-faqe me përmbajtje pornografike.

Por këto raportime i hodhi poshtë vetë protagonistja e ngjarjes, duke thënë se fotografinë e ka marrë nga familjarët e viktimës.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Ajo tha se nuk mund të mohohet se ushtarët serb mund të kenë incizuar edhe filma nga dhunimet për qëllime pornografike.

“Mos të biem pre e atyre që nuk duan ta dëshmojmë të vërtetën. Unë nuk kam frikë nga e vërteta dhe skam arsye ta bëjë këtë pune kaq të bujshme. Më çuditin njerëzit që nuk merren me krimin por me personalitetin tim. Kjo është qesharake. Unë do ta kontaktoj Prokurorinë e shtetit kemi kontaktuar përmes telefonit, edhe dëshmitë tjera do t’ia dorëzoj”, tha Brovina.

Nuk shkoi gjatë dhe të premten, deputetja  Flora Brovina u intervistua nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me pretendimet për fotografinë e “dhunimit”.

Deputetja e PDK-së u largua e heshtur pas intervistimit nga Policia e Kosovës, përderisa pak më vonë, ajo u paraqit përsëri në oborrin e Kuvendit të Kosovës ku u deklarua për media.

Brovina para gazetarëve e pranoi se fotografia e prezantuar dje, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.

“Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.

Ajo shtoi se imazhin e ka pranuar nga një aktivist qysh prej vitit 2003 dhe e ka mbajtur së bashku me shumë dosje të tjera.

Tutje Brovina ka thënë se nuk ka menduar se dikush do t’i jepte një fotografi të tillë të rreme për një çështje kaq të ndjeshme.

Këtë pasdite në konferencë për media doli edhe Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar sot deputeten në cilësinë e dëshmitares.

Hajdari deklaroi se  Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk është në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

“E kam pyet a din për identitetin e viktimës, ka thënë që jo, nuk e din. Ia kam përkujtuar dje ka thënë se foton po e publikon me pëlqimin e viktimës dhe familjarëve, më ka thënë se kjo nuk qëndron dhe se ajo ka konsideruar, me vet faktin që i beson fotos, se e ka pëlqimin e viktimës dhe familjarëve të saj. Ajo nuk e ka kontaktuar viktimën”, tha Hajdari.

Prokurorja Speciale theksoi se Flora Brovina nuk ka pasur me vete fotografinë gjatë intervistimit.

Ndërkohë, të hënën me 20 maj 2019 është paralajmëruar marsh protestues nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.