Era e fortë ia hoqi kulmin kësaj shtëpie në Istog – Foto: KALLXO.com

Era e Fortë ua Heq Kulmet Shtëpive në Istog (Foto)

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar si pasojë e erës se fuqishme mbrëmë në komunën e Istogut.

Erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në komunën e Istogut.

Era e fuqishme, e cila goditi mbrëmë disa lokalitete, ka shkaktuar më së shumti dëme në pjesën jugore të kësaj komune.

Ajo u ka hequr kulmin edhe disa shtëpive dhe objekteve të tjera.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova sot ka formuar shtabin  emergjent komunal për të verifikuar dëmet  e shkaktuara.

“Me këtë rast kryetari i komunës Haki Rugova ka formuar shtabin emergjent në krye më të i cili mëngjesin e sotëm ka dal në terren për të verifikuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga era e fortë”, thuhet në njoftimin e zyrës se informimit të Komunës së Istogut.

Këto dëme kryesisht janë shkaktuar në shtëpi banimi, ku disa shtëpive u janë hequr tjegullat dhe u është rrënuar kulmi.

Ndërsa, në bujqësi ka pasur dëme në serra dhe në stalla të bagëtive, njofton Komuna.

Era e mbrëmshme ka dëmtuar edhe rrjetin elektrik, me ç’rast disa fshatra ende kanë mbetur pa energji elektrike.

“Po ashtu është dëmtuar rrjeti elektrik ku disa fshatra ende janë pa energji elektrike, ekipet e KEDS kanë dalë në teren dhe janë duke e kryer punën e tyre”, thuhet në njoftimin e Komunës së Istogut.

Po ashtu, era mbrëmshme shkaktoi dëme edhe në komunën e Pejës, për çka raportoi KALLXO.com.