Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit për vrasjen e dyfishtë - Foto: KALLXO.com

Ekspertët e Raportit Psikiatrik Dëshmojnë në Gjykimin për Vrasjen e Dyfishtë

Dy ekspertët që kryen ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Durim Lushaj kanë dëshmuar sot në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në Shaptej të Deçanit.

Për këtë vrasje, përveç Durim Lushajt po gjykohet edhe babai i tij, Salihu.

Incidenti mes bashkëfshatarëve ka ndodhur në gusht të vitit 2016.

Me kërkesë të Gjykatës Themelore të Pejës, pas propozimit të avokatit Gëzim Kollçaku, të akuzuarit Durim Lushaj i është bërë ekzaminimi psikiatrik.

Dje, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj propozoi që të dëgjohen si dëshmitarë ekspertët që kishin përpiluar raportin pas ekzaminimit psikiatrik, në të cilin kishin dhënë mendimin se Durim Lushaj në ditën kritike kishte vepruar nën afekt të rëndë mendor.

Kështu, eksperti i Institutit të Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, Ajet Bunjaku, gjatë dëshmisë se tij u pyet disa herë rreth konstatimeve në raportin e përpiluar nga ekipi i Institutit të Psikiatrisë së Forenzikës.

I pyetur nga prokurorja se a janë marr për bazë vlerësuese deklaratat e dëshmitarëve që kanë qenë pjesë e shkresave të lëndës, eksperti Bunjaku tha se në dhënien e mendimit të ekspertëve në raport nuk janë marrë për bazë deklaratat e tyre.

Eksperti tha se më shumë i kanë besuar gjatë procedurave të ekzaminimit kallëzimit penal të Policisë se Pejës, në konstatimin se Durim Lushaj kishte vepruar nën afekt të rëndë mendor.

Tutje prokurorja e ballafaqoi ekspertin me një raport nga shkresat e lëndës, për të cilin eksperti tha se ka menduar se është në emër të akuzuarit.

“Tash po e shoh se qenka me B. (Burim), jo me D. (Durim)”, tha eksperti.

Eksperti u pyet se si kishin ardhur në përfundim se Durim Lushaj kishte vepruar nën afekt mendor, ai tha se kryesisht janë bazuar në shkresat e lëndës.

Bunjaku tha se afekti mendor ishte shkaktuar te Durim Lushaj kur e kishte parë babën e tij të përgjakur.

http://kallxo.com/prokurorja-kundershton-ekzaminimin-psikiatrik-te-durim-lushajt/

Anëtari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, e pyeti ekspertin se në çka janë bazuar kur kanë thënë se fillimisht janë shkaktuar lëndimet trupore tek Salih Lushaj, e më pas ka ndodhur vrasja e dyfishtë.

Radoniqi i tha ekspertit nga ishte burimi i këtij konstatimi, pasi që deri me tani, sipas tij, nuk dihet kur janë shkaktuar lëndimet, para vrasjeve, apo pas tyre.

Dëshmitari Ajet Bunjaku tha se janë bazuar në përshkrimin e kallëzimit penal të Policisë se Pejës, kurse anëtari i trupit gjykues i tha se kallëzimi penal nuk është provë.

“Çdo dokument qe na prezantohen për ne është provë. Në ketë rast ne jemi shërbyer me kallëzimin penal të Drejtorisë se Policisë se Pejës, të cilin ne besojmë që është përpiluar në vendin e ngjarjes menjëherë pas ndodhjes se rastit. Nuk jemi shërbyer me deklaratat e dëshmitarëve sepse ato janë dhënë 3-4 muaj pas rastit dhe ka qene kontradiktore për ne ekspertët”, tha Bunjaku.

I pyetur nga trupi gjykues se në rast se konstatohet se lëndimet trupore ndaj Salih Lushajt janë shkaktuar pas vrasjes se parë, eksperti tha se do duhet bërë një vlerësim tjetër.

“Po qe së konstatohet ndryshe, atëherë duhet bërë një vlerësim tjetër, por ne qëndrojmë pranë vlerësimit të bërë dhe konstatimit të dhënë në tri pikat e shkruara në ekspertizë”, tha ai.

Gjatë seancës të mbajtur të mërkurën ka dëshmuar edhe eksperti, Naim Hoxha, i cili ka qenë pjesë e ekipit që kanë kryer ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Durim Lushaj.

Hoxha tha se roli i tij ka qenë si ekspert psikosocial në vlerësimin e raporteve sociale familjare të të akuzuarit Durim Lushaj.

Ai tha se ekzaminuesi ka pasur dyshime se babai i tij është vënë në rrezik nga përleshja fizike që ka pasur me viktimat.

Ndërsa për vlerësimin e dhënë se ka vepruar nën ndikimin e tronditjes se rëndë të afektit mendor, eksperti tha se ka qenë vlerësim i të gjithë ekspertëve.

Seancat e radhës të këtij gjykimi u caktuan nga trupi gjykues të mbahen më 22 dhe 28 mars, ku priten të japin dëshmitë e tyre dy të akuzuarit dhe të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Lushajn bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.