Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Edi Rama: Vrasja e Ivanoviqit, Akt Qëllimkeq që Nxit Urrejtje

Pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Edi Rama ka shprehur keqardhje të thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviqit.

Atentatin ndaj Ivanoviqit, Rama e ka quajtur akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension.

“Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, ka theksuar shefi i Qeverisë shqiptare.

Vrasjen e Ivanoviqit e ka dënuar edhe Bashkimi Europian.

Ndërsa, institucionet e Kosovës, Presidenca e Qeveria përpos që e kanë dënuar vrasjen e politikanit serb, kanë kërkuar nga organet e rendit zbardhjen sa më shpejt të kësaj vrasjeje.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq u vra sot në mëngjes në Mitrovicën Veriore nga persona të panjohur, të cilët e qëlluan me plumba nga një veturë në lëvizje.

Ndërsa, KALLXO.com publikoi foto të një veture që besohet se u përdor në atentatin ndaj Ivanoviqit.