Dy Anët e Sheshit të Prishtinës për 8 Mars

Disa persona, në njërën anë të sheshit të kryeqytetit, të enjten po mbanin në duar parulla në kërkim të barazisë së gruas dhe po bënin thirrje për pjesëmarrje në protestë, e në anën tjetër të tij, shumë persona mbanin në dorë dhurata e lule për festën e 8 marsit.

Sheshi sot po u bënte vend edhe atyre që festojnë, edhe atyre që protestojnë.

“Ju uroj 8 marsin të gjitha nënave dhe femrave në botë dhe uroj që ta mbështesin gjithmonë njëra tjetrën, edhe kur është 8 marsi edhe ditëve të tjera”, tha një qytetare e Prishtinës e cila mbante në dorë një buqetë me lule.

Festa e 8 marsit përveç që manifeston gruan dhe të drejtat e saj, paraqet edhe një mundësi të mirë biznesi me elemente përcjellëse të kësaj feste.

Me të hyrë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shiheshin tenda të ngritura për të shitur lule për festën e 8 Marsit.

Por shitësit e këtyre luleve ishin më të fokusuar në të bërit biznes me shitjen e luleve sesa për prononcime para kamerave.

Nga këto tenda një buqetë me lule si dhuratë modeste për gruan kishte blerë edhe një qytetar tjetër.

“Po normal që i kom ble, një dhuratë modeste, një buqetë lule një diçka tjetër”, tha ai.

Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua sot në Prishtinë me manifestime, protesta dhe konferenca të ndryshme në të cilat u kërkua që të punohet më shumë në afirmimin e të drejtave të gruas në Kosovë.