Shfaqja e dokumentarit në Maqedoni | Foto: BIRN

Dokumentari i BIRN-it Shfaqet në Maqedoni

Dokumentari i fundit i BIRN-it “Të Paidentifikuarit”, i cili përmend emrat e zyrtarëve serbë që urdhëruan sulmet në fshatrat e Kosovës përreth qytetit të Pejës në vitin 1999 dhe ata që janë përfshirë në operacionin e fshehjes së trupave të viktimave, u shfaq në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup të premten.

“Kjo është një histori me një rëndësi shumë të madhe historike dhe padrejtësie, por gjithashtu një kujtesë e dhimbshme e një shkalle shkatërrimi të shkaktuar nga urrejtja,” tha drejtoresha e BIRN Maqedonia Ana Petruseva për studentët e pranishëm në publik.

“Të Paidentifikuarit” i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, pranë Pejës në Kosovë, ku ushtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u zhvendosën dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në vitin 2001.

Gjyqi i luftëtarëve të dyshuar se janë përfshirë në vrasjet – 10 prej tyre u akuzuan si autorët e drejtpërdrejtë – vazhdon ende në Beograd, por policët dhe gjeneralët e ushtrisë që i dhanë urdhrat nuk janë ndjekur kurrë penalisht në Serbi.

Në shkurt të vitit 2014, nëntë prej tyre u dënuan me një total prej 106 vitesh burg, por një Gjykatë Apeli në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor”.

Çështja tani po rigjykohet, por proceset gjyqësore janë shoqëruar me vonesa dhe probleme ligjore.

Shfaqja e dokumentarit dhe debati me studentët në Shkup për problemet e ngritura nga dokumentari është pjesë e një programi më të gjerë shfaqjesh për të rinj në ish-Jugosllavi.

Dokumentari deri tani është shfaqur në Universitetin e Beogradit, ndërsa më vonë do të shfaqet edhe në qytetin verior serb të Novi Sadit.

“Të Paidentifikuarit” do të shfaqet gjithashtu për studentët në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë.

Fakulteti i drejtësisë i Universitetit të Sarajevës do ta shfaqë dokumentarin më 18 tetor dhe redaktori i BIRN Denis Dzidiq do të bisedojë me studentët për sfidat e gazetarisë hulumtuese në rastet e krimeve të luftës.