Dështon Seanca, Hyn në Lojë Gjykata Kushtetuese
Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, e ndërpreu seancën e pambaruar konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi një numër i deputetëve të Vetëvendosjes dhe koalicionit LDK-AKR i dhanë opinionet e tyre në foltore për situatën e krijuar.
Mikullovci u tha deputetëve se do të njoftohen me kohë për ditën e vazhdimit të seancës ndërsa e rikonfirmoi pjesëmarrjen e tij në tryezën konsultative të thirrur nga PAN, të mërkurën.
“Edhe më tepër mu mbush mendja unë do të shkoj në konsultim me PAN të mërkurën në ora 10:00 i ftoj përfaqësuesit e LVV dhe LAA, që të marrin pjesë në atë diskutim që do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës”, tha Mikullovci.
Ndërsa pas mbylljes së seancës, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, paralajmëroi se do të dërgojnë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese për të kërkuar përgjigje në dy pyetje.
“Përfundimisht është e qartë kush po i bllokon institucionet. Do ta ftojmë një tryezë konsultative në të cilën do të flasim për dy pyetje që duhet t’ia dërgojmë Gjykatës Kushtetuese: Me mospjesëmarrjen në seancë a konsumohet e drejta për kryetar të Kuvendit dhe çka ndodh nëse kandidati nuk i merr votat”, tha Hoti.
“Askush nuk ka monopol në krijimin e institucioneve të vendit. Institucionet i krijon shumica e deputetëve”, shtoi ai.