Qendra e Kulturës në Vushtrri e realizuar në qershor 2020; Fotografi:Kallxo.com

Propozimi për emrin e Teatrit me emrin 'Adem Mikullovci' përplasë partitë në Vushtrri

Partitë politike në Vushtrri nuk po mund të ia qesin pikën diskutimeve për emërimin e Teatrit të Qytetit, që hyn në kuadër të Qendrës së Kulturës.

Pas vdekjes së aktorit dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Adem Mikullovci, LVV-Qendra në Vushtrri, kishte propozuar që të i ndryshohet emri teatrit nga “Teatri i Qytetit” në “Adem Mikullovci”.

Por, sipas Partisë Demokratike të Kosovës vendosja e emrit të Adem Mikullovcit ka nuanca dhe qëllime politike nga partia e cila e ka propozuar.

Gresa Muli nga LVV ka thënë për KALLXO.com, se në seancën e kuvendit komunal njëri nga anëtarët nga PDK ka thënë ndër rreshta disa fjalë që nënkuptojnë se Adem Mikullovci nuk është njeriu meritor me të cilin duhet emëruar Teatri.

Sipas Mulit, propozimi i tyre nuk është aspak politik, sepse Mikullovci vonë është anëtarësuar në Vetëvendosje, ka 50 vite karrierë dhe është bashkëvendës i Vushtrrisë.

Muli tha për KALLXO.com se para se të votohej për shtyrjen e kësaj pike, kishte mbajtur një fjalim ku bëri thirrje për përkrahje nga partitë, sepse ky emërim nuk po propozohej nga ata për poena politik.

“Një ditë para seancës së Kuvendit, asamblisti i PDK-se doli me një postim në Facebook ku nënkuptoi mos mbështetjen e kësaj pike, më pas, dje ne seancë, Nezir Klinaku nga LB-ja propozoi qe ajo pikë të shtyhet (kinse na ka ardhur vonë), ndërsa PDK-ja përkrahën propozimin e këshillit të artistëve të cilët propozuan që Teatri i Qytetit të emërohet me emrin e Xhemajl Cecelisë”, tha ajo.

Sipas Mulit, ky propozim u kundërshtua nga PDK-ja dhe LDK-ja dhe subjektet tjera politike.

Shefit i grupit të asamblistëve të PDK-së, Ilmi Azemi tha se në parim nuk e përkrahin ndryshimin e emrit të Teatrit, sepse sipas tij  Vetëvendosje po e shfrytëzon emrin e aktorit për qëllime politike.

Ai tha se Teatri duhet të mbes me emrin “Teatri i Qytetit’  dhe të mbes i qytetarëve pa ngjyrime politike, klanore e as tjera ngjyrime, e as kalkulime e përfitime partiake.

Në seancën e fundit të kuvendit komunal të Vushtrrisë, Azemi ka thënë se propozimi për këtë emër ka ardhur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, që sipas tij kjo drejtori po udhëhiqet në mënyrë jo profesionale me këtë dikaster.

Drejtoreshën e Kulturës, Fatmire Cecelinë që vie nga radhët e Vetëvendosjes ai e ka quajtur udhëheqëse joadekuate dhe joprofesionale për të menaxhuar këtë dikaster.

“Dhe e dyta në këtë valle ka hyrë edhe kryetari pa e ditur, kuptuar e as pa pas shqisa të përcjelljes së ritmit të valles!”, kishte thënë Azemi.

Ai tha se për ta është sfiduese që të kenë propozime si emri i aktorit Adem Mikullovcit apo aktorit Xhemajl Cecelia, po emri duhet të i mbes “Teatër i Qytetit”.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim në lidhje me këtë çështje nga ana e kryetarit të komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili vie nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por ai deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në telegramin e ngushëllimit për vdekjen e Mikullovcit, e  kishte cilësuar atë si një njeri që artin dhe politikën i përjetoi si qëllim për emancipimin e gjendjes shqiptare në Kosovë.
“Mikullovci si delegat i Kuvendit, i cili shpalli deklaratën Kushtetuese, dhe si aktor me nam në hapësirën tonë kulturore, do të mbetet përherë në kujtesën tonë të vlefshme kolektive, shenjë e patejkaluar”, kishte shkruar Veseli.
Lëvizja Vetëvendosje- Qendra në Vushtrri, nëpërmjet grupit parlamentar të saj, pas vdekjes së aktorit Adem Mikullovci kishte dorëzuar në Sekretarinë e Kuvendit Komunal Vushtrri, kërkesën për futje në rend të ditës në seancën e radhës, propozimin për ndryshimin e emërtimit të Teatrit të Qytetit – Vushtrri, në Teatri “Adem Mikullovci” – Vushtrri.

Adem Mikullovci ka vdekur  me 15 shtator të këtij viti.

Ai ka qenë aktor në Teatrin Kombëtar (ish-Teatri Popullor) dhe ka luajtur në shumë projekte teatrore, komedi e projekte filmike 

Mikullovci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në 1990 kur edhe u shpall Deklarata Kushtetues për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe ishte deputet i VV-së në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës.