Deputetët e nderojnë me një minutë heshtje Adem Mikullovcin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë nderuar me një minutë heshtje artistin dhe ish-deputetin, Adem Mikullovci, i cili vdiq të hënën.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, foli edhe për vdekjen e Mikullovcit, duke vlerësuar lart kontributin e tij në art e politikë, duke kërkuar nga deputetët që ta nderojnë me një minutë heshtje.

Osmani në një adresim para deputetëve në fillimin e punimeve në sesionin vjeshtor, ka kërkuar nga ta që t’i përmbahen masave anti-COVID-19.

“Dua që t’i shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që i kanë humbur më të dashurit të tyre nga pandemia. Dhe ju uroj shërim të shpejtë deputetëve, anëtarëve të administratës dhe të gjithë qytetarëve që janë infektuar me COVID-19”, theksoi kryeparlamentarja.

Osmani tha se deputetët kanë punuar edhe në kohë të pandemisë, përmes komisioneve.

“E kam për detyrë t’i refuzoj propagandat që kinse deputetët nuk e kanë kryer punën e tyre. Ligjet që trumbetoheshin nuk janë trajtuar në Kuvend, por ata nuk janë sjellur nga qeveria”, tha ajo.

Kryeparlamentarja tha se presin gatishmëri nga qeveria që t’i sjell me kohë dhe të mos i vonojë më shumë mbi 100 ligje.