Konferenca kundër ekstremizmit | Foto: KALLXO.com

Braathu: Betejë për Paqe, Jo Kundër Feve

Në Konferencën dyditëshe kundër ekstremizmit të dhunshëm të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu deklaroi se luftimi i ekstremizmit nuk është betejë kundër feve.

“Rol të madh në luftimin e ekstremizmit kanë pasur edhe bashkësitë fetare. Ato kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në kundërnarrativë. Nuk është betejë kundër feve, por betejë e përbashkët për paqe,” tha Braathu.

Shefi i OSBE-së në Kosovë tha se nuk duhet të flitet vetëm për ata që u përfshinë në luftëra të huaja, por duhet të flitet edhe me ta.

“Për të arritur efekt kemi ardhë në përfundim se duhet të dalim e të flasim me ta, e jo vetëm për ta. Do të gjejmë forma si te merremi me luftëtarët qe janë kthyer. Këta persona përbëjnë një aset unik në luftën kundër kësaj dukurie,” tha Braathu.

Ai konstatoi se vetëm burgimi i pjesëmarrësve të kthyer nga luftërat e huaja nuk mjafton.

“Burgimi nuk është e vetmja zgjidhje, se radikalizmi mund të ndodhë edhe në burgje,” tha Braathu.

KALLXO.com ka shkruar e shkruan vazhdimisht për gjykimet dhe dënimet e ish-luftëtarëve të kthyer nga Siria e Iraku.

Braathu në konferencën kundër ekstremizmit lavdëroi reagimin e institucioneve kosovare ndaj kësaj dukurie.

“Vitin e kaluar kemi parë të rinj të angazhuar në këto vende, kryesisht në Siri. Institucionet e Kosovës janë ngritur dhe kanë qenë në krye të detyrës. Në Kosovë shumë persona janë arrestuar për inspirim dhe përfshirje. Objektet e paligjshme fetare janë mbyllur dhe është aprovuar ligji, e hartuar strategjia,” tha Braathu.

Braathu deklaroi se OSBE-ja po e ndihmon luftën e Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Mes tjerash nga OSBE-ja është kërkuar përkrahje dhe ne jemi afruar në bashkëpunim. OSBE-ja ka departament të përkushtuar në Vjenë pikërisht për këtë temë,” tha Braathu.

Konferenca Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të vazhdojë edhe nesër.