Mjetet që dyshohet se janë të vjedhura në Rahovec | Foto: policia

Arrestohen Tetë Persona për Vjedhje të Rënda në Rahovec

Në qytetin e Rahovecit, respektivisht në lagjen veriore ku jetojnë komunitete të ndryshme, në fund të vitit 2016 dhe në tremujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, që tek qytetarët ishte krijuar një ndjenjë pasigurie.

Stacioni policor në Rahovec njofton se ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë tetë persona të dyshuar si kryes të mundshëm të këtyre veprave, e po ashtu janë shoqëruar në polici edhe pesë persona të tjerë të dyshuar për pranimin e mallrave të vjedhura.

“Me këtë rast janë zbuluar gjashtëmbëdhjetë raste penale vjedhje dhe vjedhje të rënda si dhe janë konfiskuar shumë gjësende të vjedhura: (frigoriferë, motokultivatorë, televizorë, aparate salduese, sharra motorike, gjeneratorë), si dhe shumë pajisje të tjera elektronike”, thuhet në komunikatën e policisë.

Personat e arrestuar janë të etniteteve të ndryshme, si: shqiptarë, serbë dhe romë dhe ndaj tyre policia ka filluar hetimet dhe do të ushtrojë kallëzim penal në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Dje policia në Gjilan arrestoi një person për disa vjedhje.

http://kallxo.com/policia-arreston-nje-person-per-disa-vjedhje-ne-gjilan/

Shkrime tjera në KALLXO.com që lidhen me vjedhje mund t’i lexoni këtu.