Anulimi Problematik i Konkursit për Mësimdhënës

Mensur Luma kishte shpresuar shumë se do të punësohej kur ishte ftuar në intervistë nga Drejtoria e Arsimit në Kaçanik për mësimdhënës në shkollën “Vëllezërit Qaka dhe Feriz Guri”.

Mirëpo, shpresa u venit shumë shpejtë, pasi që konkursi ishte anuluar pas testit dhe intervistës.

“Kemi kaluar testin me shkrim, kemi kaluar intervistën dhe me shpalljen e rezultateve kemi kuptuar se ky vend i punës është anuluar në tërësi dhe anulimi është bërë me vendim të Inspektoratit në Ferizaj. Ne kemi kërkuar përgjigje nga Drejtoria e Arsimit në Kaçanik dhe ata na kanë thënë se vendimi ka ardhur nga Ferizaj dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha Luma.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Kaçanik, Enver Kamishi, për KALLXO.com thotë se fillimisht vetëm e ka zbatuar rekomandimin e Inspektoratit të Arsimit kur ka shpallur konkursin.

“Ne me rekomandimin e inspektorëve të arsimit, që na kanë rekomandu që konkursi për lëndën e informatikës të shpallet, për shkak se në bazë të procedurave nuk është në rregull me normativin e ri dhe ne e kemi njoftimin që e kemi shpallur konkursin me rekomandim të inspektorëve të arsimit”, tha Kamishi.

Pasi që e kishte zbatuar rekomandimin e Inspektoratit të Arsimit, nuk vonoi shumë dhe Kamishit i vjen një shkresë tjetër.

“Gjatë takimeve në Ministri që i kanë pasur neve na e kanë dërgu një shkresë që thotë: të gjithë mësimdhënësit aktualë që gjenden në procesin mësimor që posedojnë diploma në programet e licencuara dhe të akredituara të bartësve privatë të arsimit të lartë, vazhdojnë të punojnë kurse konkurset e shpallura të anulohen”, tha Kamishi.

Kamishi tha se në bazë të kësaj shkrese nuk ka pranuar që ta anulonte konkursin.

Konkursin e ka anuluar vetëm pasi kishte marrë vendimin që ua kishte kërkuar inspektorëve, të cilët edhe i kishin kërkuar ta shpallte konkursin për mësimdhënës të informatikës.

Drejtori i Arsimit e pranon se vendimi për anulimin e konkursit i ka shkaktuar jo pak probleme.

“Jo pak por shumë probleme na ka krijuar sepse ne kemi filluar me kohë pak më herët me çështje të konkursit për shkak të fillimit të vitit shkollor dhe ne kemi pasur kandidatë në intervista, kurse në anën tjetër ka ardhur vendimi të anulohet konkursi dhe kandidatët pasi kanë dalë prej intervistës ne jemi detyru me anulu konkursin”, theksoi ai.

Lidhur me krejt ketë proces KALLXO.com u ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Arsimit e Inspektoratit të Arsimit, por nuk ka pranuar përgjigje.