Ish-ministri i Financave reagon pas anulimit të konkursit për Drejtor të Doganës së Kosovës

Para disa ditëve, Ministria e Financave ka dhënë njoftimin për anulimin e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Pas anulimit të këtij konkursi ka reaguar sih-ministri i Financave në Qeverinë Kurti, Besnik Bislimi.

Ish-ministri Bislimi ka thënë se nuk ka asnjë argument valid për të anuluar konkursin përveç nëse lista ka nevojë të pasurohet me ndonjë kandidat shtesë të preferuar politik.

“Numri i aplikacioneve është mjaftueshëm i madh; paneli është i përzgjedhur dhe nuk ka asnjë individ staf politik; pjesëmarrja e britanikëve është aranzhuar që para fillimit të intervistimit, e po ashtu edhe prezenca e shoqërisë civile (mediat) si garant për transparencë në proces”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka thënë se në konkursin e hapur me 12 shkurt për drejtor të Doganave të Kosovës kanë aplikuar 27 kandidatë potencial.

Sipas tij, ky ka qenë numri më i madh i kandidatëve që ka aplikuar për këtë pozitë që nga themeilimi i këtij institucioni.

“Mbase nga bindja se konkursi dhe përzgjedhja do jenë objektive dhe transparente. Menjëherë pas kompletimit të aplikacioneve dhe përzgjedhjes së panelit intervistuesh kanë filluar masat kufizuese, andaj edhe është shtyrë intervistimi i kandidatëve. Kjo nëkupton që deri më tani nuk është kompletuar asnje proces nga konkursi dhe me aplikacionet e grumbulluara”, ka përfunduar ish-ministri, Bislimi.

Më 12 shkurt 2020, Ministria e Financave ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, konkurs i cili ka qenë i hapur për pesëmbëdhjetë ditë nga data e shpalljes.

Pas përfundimit të periudhës së konkurrimit, Ministria e Financave ka themeluar Komisionin rekrutues më 3 prill 2020.

“Në fazën e parë, Kryetari i Komisionit ka qenë në koordinim me partnerin zbatues të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për planifikimin dhe inicimin e vlerësimit të aplikacioneve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në arsyetimin për anulim, Ministria ka theksuar se me shfaqjen e situatës pandemike, me rekomandimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit rekrutues si dhe në dakordim me partnerin zbatues – Ambasadës britanike, Ministria i Financave më 18 mars 2020 ka pezulluar zbatimin e procedurave të rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Ndërkohë, edhe Marrëveshja me Ambasadën Britanike ka skaduar dhe me këtë ka pësuar ndryshim edhe procedura e metoda e vlerësimit të kandidatëve.

Më 7 shkurt 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte shkarkuar drejtorin e Doganës, Bahri Berisha. Shkarkimi i Berishës ka qenë një prej vendimeve të para të Kurtit.

Bahri Berisha ishte zgjedhur në bazë të një konkursi që ishte zhvilluar me asistencën e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta.

Më 21 shkurt, Kurti e kishte emëruar Ibrahim Xhakën, U.D i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës.