Aktakuzë për Detyrim në Rastin e Fajdeve në Prizren

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren kundër të pandehurit A.M. për shkak të kryerjes së veprës penale të “detyrimit” lidhur me veprën penale të “shantazhit”. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Prokuroria e Shtetit.

“Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës së gjatë kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin P.G. që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë i pandehuri i ka sjellë vetës dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

“Me këto veprime i pandehuri A.M. ka kryer veprat penale. Ky rast është i ndërlidhur me rastin e fajdeve kundër të akuzuarve nga familja Kqira”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

KALLXO.com ka përcjellë vazhdimisht rastin ‘Kqira’. Artikujt rreth këtij rasti mund t’i gjeni në këtë link.