AKK Ndërron Mendje, Paratë e Gatshme të Zyrtarëve do të Bëhen Publike

Agjencia Kundër Korrupsionit duket se ka ndërruar qëndrim sa i përket një nisme për të bërë të mundur që paratë e gatshme të zyrtarëve të mos jenë publike në deklarimet e pasurisë në AKK.

Shaip Havolli, Drejtor i kësaj agjencie, të mërkurën gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet dhe Financa kishte paralajmëruar ndryshimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë me të cilin, sipas tij, zyrtarëve që e kanë për obligim ta deklarojnë pasurinë do t’u bëhet e mundur t’i mbajnë të fshehta për publikun paratë e gatshme dhe ato të deponuara.

Pas reagimeve të shumta që pati kjo deklaratë, AKK doli me një komunikatë sqaruese duke thënë se në fakt në draftin fillestar të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të përcjellë tek Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë përcaktohen edhe detyrimet për publikimin e parave të gatshme.
“Sipas draftit të propozuar të gjitha “të dhënat e deklarimit të pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshin: emrin, mbiemrin, pozitën, emri i institucionit, …, posedimi i letrave me vlerë, para të gatshme,
detyrimet financiare që i ka zyrtari ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore publikohen nga Agjencia”, thuhet në komunikatë.

Ata insistojnë se ligji në draftim do të jetë më i mirë se ai në fuqi duke përfshirë edhe transparencën e parave të gatshme.

“Duke u bazuar në të gjitha ato që u tha më lartë, mund të përfundohet se ky version rregullon çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik më mirë se ligji aktual në fuqi. Prandaj, mund të jenë keq-interpretuar disa deklarata në lidhje me këtë ligj. Përmes këtij sqarimi ju njoftojmë se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim nga Agjencia apo ndonjë institucion tjetër për mos publikimin e parave të gatshme (kesh).”, sqarojnë ata më tutje.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me draftimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.

13 Prill 2018 - 10:41

Doruntina Baliu 13/04/2018 - 10:41
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend