Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pasuria milionëshe e ministrit Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar pasurinë e tij për vitin 2023 në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Sipas deklarimit të tij, pasuria e paluajtshme e ministrit Sveçla është gjithsej 1 milion e 250 mijë euro, e cila përbëhet nga një shtëpi dhe një lokal.

Sveçla ka deklaruar në AKK shtëpinë në vlerë 600 mijë euro, e gjithashtu edhe lokalin në vlerë 650 mijë euro e ka në pronësi të përbashkët, të trashëguar nga prindi i tij.

Ministri ka deklaruar se pasuri të luajtshme e ka një veturë Audi, e blerë me kredi, në emër të bashkëshortes në vlerë 3 mijë e 100 euro.

I pari i MPB-së ka thënë se gruaja e tij posedon aksione në dy shoqëri komerciale.

Sipas deklarimit të bërë në AKK, 100 për qind e aksioneve i takojnë bashkëshortes së ministrit në O.S.S. “Dhomi” B.I., në vlerë kapitale 6 mijë euro. Data e përfitimit e treguar është 1 korrik 2014.

Po ashtu bashkëshortja e Sveçlës, në deklarim thuhet se i takojnë 50 për qind e aksioneve në “Dental Advanced Services Dhomi L.L.C”. Vlera kapitale e deklaruar është thënë se është 100 mijë euro, kurse data e përfitimit 22 shtator 2021.

Lidhur me paratë e gatshme të mbajtura në institucione financiare, Sveçla ka deklaruar se ka 1 mijë e 222 euro e 51 cent, të cilat i mbanë në ProCredit Bank në Prishtinë.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se bashkëshortja e tij i mbanë gjithsej 1833 euro e 2 cent në bankën e njëjtë.

Po ashtu, Sveçla ka treguar se në emër të fëmijëve janë edhe 300 euro para të gatshme që i mbanë në  bankë.

Sa i përket detyrimeve financiare ndaj personave juridik dhe fizik, Sveçla ka deklaruar se ai dhe gruaja e tij kanë detyrime në ProCredit Bank.

Sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Sveçla ka thënë se vlera e mbetur e detyrimit të tij në bankën e lartcekur është edhe 1 mijë e 416 euro e 32 cent.

Kohëzgjatja e këtij detyrimi është thënë se është 60 muaj dhe se qëllimi ka qenë renovimi i shtëpisë.

Në të njëjtën bankë detyrim ka edhe gruaja e ministrit. Sipas deklarimit, detyrimi i saj i mbetur është 38 mijë e 197 euro e 31 cent, në kohëzgjatje prej 60 muajve dhe se qëllimi ka qenë investim në biznes.

Sveçla i ka deklaruar edhe të hyrat vjetore, ku ka treguar se paga me burim nga MPB është gjithsej 14 mijë e 551 euro e 80 cent.

Ai po ashtu ka thënë se nga po i njëjti burim ka pranuar edhe 3 mijë e 593 euro e 25 cent kesh, për mëditjet e tij dhe udhëtim zyrtarë jashtë vendit.

Sa i përket bashkëshortes, Sveçla ka thënë se ajo merr dy paga, njërën nga Kolegji “UBT” në vlerë 14 mijë euro dhe një pagë tjetër nga “DAS Dhomi L.L.C.” në vlerë 5 mijë e 500 euro.

Sveçla ka deklaruar edhe pagë për fëmijë me të cilët jeton në bashkësi familjare, e cila pagë kë thënë se është 4 mijë e 420 euro, burim i së cilës ka deklaruar se është OnAir Media Sh.P.K.

Lidhur me të dhëna të tjera, i pari i MPB-së ka deklaruar gjendjen e policave të sigurimit jetësor, në kompaninë e sigurimeve ILIRIA, ku ka deklaruar se janë 3 mijë e 250 euro për vetë e tij dhe 3 mijë e 250 euro për Merita Barani Sveçla.

(Shënim, teksti për shkak të një gabimi në llogaritjen e shumave është tërhequr pas publikimit të parë në ora 14:32, për t`u ripublikuar në ora 14: 40)