3 Minuta e Hapur Seanca ndaj Gjukajt e Lushtakut

Bajram Tmava mbrojtësi i Driton Pruthit tha se është i shqetësuar me mosreagimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me gjykimin e shtatë personave për një tender të sigurimit të objekteve të KEK-ut.

Avokatët thonë se aktakuza për këtë çështje është ngritur pas përfundimit të afatit të hetimeve, ndërsa e kanë dërguar çështjen për vendosje të masës së përkohshme në Gjykatën Kushtetuese.

“Më ka brengosur, e mos të them se jam shumë i shqetësuar me mosreagimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas mendimit tim Gjykata Kushtetuese ka qenë e detyruar që të japë një masë të përkohshme dhe të ndalojë çdo veprim procedural në këtë çështje penale deri sa të mos sillet vendimi definitiv i gjykatës, ai vendim me siguri duhet të aprovohet në kolegjin e përbërë prej 9 gjyqtarësh, domethënë në kolegjin e tërë,” tha Tmava.

Tmava deklaroi se do ta dërgojë çështjen e ngritjes së aktakuzës pas afatit edhe në Këshillin e Sigurimit me letër të veçantë.

“Unë qëndrimin tim që e kamë paraqitur para trupit gjykues kam qenë jashtëzakonisht decidiv dhe poqese edhe Gjykata Kushtetuese nuk do të veprojë ashtu siç thuhet në dispozitën e nenit 195, unë e di, jam i vetëdijshëm se nuk kam të drejtë t’i drejtohem Gjykatës së Strasburgut, mirëpo do t’i drejtohem me një akt të veçantë Këshillit të Sigurimit dhe do ta njoftoj për veprimet dhe për paligjshmëritë të cilat ndodhin në Republikën e Kosovës,” tha Tmava.

Pyetjes se a mundet Gjykata Kushtetuese të përfundojë këtë gjykim, avokati Arianit Koci iu përgjigj me fjalët se kjo gjykatë mund ta bëjë këtë punë.

“Mundet, i ka të gjitha mundësitë ligjore edhe me marrë masën e përkohshme, por edhe me përfunduar këtë lëndë dhe unë mendoj që duhet ta përfundojë. Të gjitha elementet ligjore janë që kjo çështje duhet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese,” tha Koci.

Avokati i Arben Gjukajt, Ramë Gashi tha se gjyqtari i kësaj çështjeje penale ka vendosur që të vazhdojë procedimin edhe përkundër faktit që shumica e mbrojtësve kanë ngritur këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe se seancat e radhës janë caktuar më 23 dhe 24 shkurt ku do të vazhdohet me fjalët hyrëse nga mbrojtësit.

“Që në fillim gjyqtari kryesues i kësaj çështjeje penale bëri me dije se ai ka vendosur që të vazhdojë me procedimin e çështjes edhe përkundër faktit se shumica nga mbrojtësit kanë ngritur para Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë për aktvendimin kontestues të Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilin aktvendim çështja është kthyer që të procedohet ose të gjykohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në pastaj u caktuan disa data sa unë kujtoj më 23 dhe 24 shkurt të vazhdohet me fjalët hyrëse të mbrojtësve,” tha Gashi.

10:20

Seanca është statusore, ndërsa do të jetë publike vetëm 3 minuta që mediet të marrin pamje dhe të bëjnë fotografi.

Gjukaj, Lushtaku e pesë persona tjerë akuzohen për tenderin milionësh të sigurimit fizik të objekteve të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës.

Në seancë sipas gazetarit të KALLXO.com është duke munguar kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku që është duke vuajtur dënimin prej 12 vjetësh për një vrasje të kryer gjatë kohës së luftës.

Arianit Koci, avokati i Lushtakut nuk e di arsyen e mungesës së të mbrojturit të tij. Koci tha se vetëm para dy-tri ditësh e kishte një informatë se Lushtaku nuk ndihej mirë me shëndet.

0ec6bc4ffa9a60491c62b966c74f6bf5f839fee5d51923fa3b7623779f00d63f

Vlera e tenderit të sigurimit fizik për të cilin akuzohen këta shtatë persona ishte rreth 6 milionë euro, ndërsa pjesë e këtij gjykimi është edhe ish-kreu i organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) Hysni Hoxha.

Gjuka, Hoxha e ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Pjesë e gjykimit janë edhe Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku që akuzohen për veprën penale mashtrim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Ndërsa, pas ankesës së avokatëve mbrojtës në Gjykatën e Apelit, nga kjo gjykatë aktakuza ishte konsideruar e paafatshme dhe ishte gjetur se aktakuza ishte ngritur tre muaj e gjysmë pas skadimit të afatit të hetimeve.

Lidhur me këtë vendim, prokurori i EULEX-it ishte ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës, një trup i së cilës në përbërje prej dy gjyqtarësh të EULEX-it dhe një vendor, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu për procedim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ky vendim shkaktoi reagimin e avokatëve mbrojts. Disa prej tyre vendimin e cilësuan “skandaloz”, ndërsa për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtij vendimi i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe u kërkua masë e përkohshme.

KALLXO.com shkroi dje më gjerësisht lidhur me këtë gjykim dhe tender.

http://kallxo.com/sami-lushtaku-e-arben-gjukaj-ne-gjyq-per-tenderin-e-kek-ut/