Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori amerikan kritikon Gjykatën në rastin e korrupsionit në KEK

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka kritikuar Gjykatën Themelore të Prishtinës për mënyrën se si e ka menaxhuar procesin gjyqësor në rastin e një tenderi 6 milionësh në KEK.

Të gjithë të akuzuarit në këtë rast, përfshirë edhe ish-drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, dhe ish-kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, janë liruar nga akuzat ndërsa dy nga të akuzuarit kanë përfituar nga vjetërsia e lëndës.

Por ambasadori Kosnett ka thënë se gjykata duhet t’i dëgjojë rastet me kohë në mënyrë që të shmanget parashkrimi i akuzave.

“Gjykata Themelore e Prishtinës së fundmi ka liruar disa të akuzuar në rastin e korrupsionit në KEK, duke u arsyetuar në parashkrimin e akuzave. Gjykata duhet t’i dëgjojë rastet në kohë të duhur. Drejtësia nuk mund të bëhet kur rastet dëgjohen PARA se të skadojë afati i parashkrimit”, ka thënë Kosnett në një postim në Twitter.

 

Reagimi i ambasadorit Kosnett vjen një ditë pasi BIRN dhe Internews Kosova publikuan raportin vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë në të cilin gjithashtu kritikohet përsëritja e shpeshtë e rasteve të parashkrimit të akuzave në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë duke përfshirë edhe rastin e tenderit në KEK.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Beqir Kalludra ndërsa anëtarë kanë qenë Shadije Gërguri dhe Shasivar Hoti, ndërsa prokurore ka qenë Florije Shamolli.

Kjo lëndë fillimisht ishte në përgjegjësinë e EULEX-it por më pas u transferua te gjykatësit e prokurorët vendorë për shkak të përfundimit të mandatit të këtij misioni.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-i-pafajshem-per-korrupsion/