Arbër Vllahiu (AAK) gjatë vizitës në KOMF.

Vllahiu Premton Polici Komunale e Kamera Sigurie për Sigurinë e Prishtinës

Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arbër Vllahiu, nënshkroi sot një dokument me të cilin merr obligimet për përkujdesje në të drejtat e fëmijëve në rast se votohet për të parin e kryeqytetit.

Ai premtoi polici komunale me 1 mijë pjesëtarë dhe 1 mijë kamera sigurie nëpër Prishtinë si zgjidhje për sigurinë e fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve.

“Me fëmijët për të ardhmen e tyre në një qytet me perspektive”, tha Vllahiu pas takimit me drejtuesit e Organizatës Joqeveritare “KOMF”.

“Nënshkrova një dokument zotimi për të përmbushur obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë karshi fëmijëve. E ardhmja jonë, fëmijët, duhet ta kenë të shtruar rrugën e përparimit. Do të krijoj fond të veçantë në komunë për fëmijët, posaçërisht për ata me aftësi të kufizuara, për ata në strehimore”, tha Vllahiu pas takimit.

“Më shumë mësues të profesionalizuar për fëmijët në nevojë. Për të gjithë arsimin cilësor. Mbi të gjitha, siguri. Ta luftojmë me gjithëpërfshirje dukurinë negative në shkollë, në shoqëri”, shtoi Vllahiu.