Ramush Haradinaj e Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli: Do të Pesëfishohet Eksporti i Produkteve të Kosovës

Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në një konferencë të përbashkët me Kadri Veselin, tha se ndjehet krenar me këtë të fundit.

“Unë jam krenar për përgjegjësitë që i kam marrë, jam krenar me partnerin tim Kadriun, jam krenar që sot konfirmoj fillimin e ri për ekonominë e Kosovën”, tha Haradinaj në konferencën e mbajtur në ambientet e fabrikës “Pestova”, e cila merret me prodhimin, kultivimin, përpunimin si dhe shitjen e patates dhe produkteve të saj.

Sipas tij gratë do të jenë të barabarta në biznes. Ai shtoi se do të ketë një kujdes të veçantë për gratë sipërmarrëse.

“Na kemi me i kry punët që i kemi premtu, përkundër të tjerëve që munden me premtu por s’munden me kry punë”, tha në mes tjerash Haradinaj.

“Qëllimi ynë prioritar është dhe mbetet krijimi i vendeve të reja të punës”, ka theksuar Ramush Haradinaj.

Ndërsa kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

“Ne do i themi mjaft sëmundjes së importit. Ne blejmë tepër shumë produkte të huaja dhe nuk e dimë kualitetin e tyre dhe në të njëjtën kohë dhe i dërgojmë parat tona jashtë shtetit, duke krijuar vende pune për të tjerët në vende tjera. Kjo nuk do të ndodhë më. Kësaj do i japim fund bashkërisht, me mikun tim, me kryeministrin Ramush Haradinaj”, tha në konferencë për media Veseli.

Ai premtoi se do të pesëfishohet eksporti i produkteve të Kosovës.

“Do të ketë ulje të taksës doganore për lëndë të parë dhe në makineri”, tha në mes tjerash Veseli.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 qershor.

PDK, AAK dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe kandidat për kryeministër e kanë liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërsa koalicioni tjetër, LDK-AKR-Alternativa ka për kandidat përfaqësuesin e LDK-së, Avdullah Hotin, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje i ka hyrë e vetme garës me kandidat për kryeministër Albin Kurtin.