Kreu i PDK-së, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Kadri Veseli Pritet me Protestë në QKUK

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk është pritur mirë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që disa studentë kanë protestuar, duke i përmendur edhe vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Astrit Dehari duhet të bërtitni të gjithë ju mantelbardhët, sepse Astrit Dehari ka qenë një njeri që duhet ta respektojmë, Astrit Dehari gjithmonë, por mos i manipuloni të rinjtë”, ka thënë kreu i PDK-së, pasi që disa studentë kanë filluar të thërrisnin emrin aktivistit të Vetëvendosjes që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i sigurimit të Spitalit, të cilët i kanë larguar studentët të cilët protestonin.

“Mu po më pengon se mu ma kanë vra shokun, mu po më pengon që Kadri Veseli së bashku me klikën e vet ma kanë vra shokun”, dëgjohet duke thënë një protestuese.

Protestuesit kanë vazhduar edhe për disa kohë që të thërrasin “Drejtësi për Astritin” dhe “Hajnat në Burg”.

Kadri Veseli ka qëndruar në QKUK-së, ku është takuar me personelin shëndetësor.

Ndërsa, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, tha për KALLXO.com se nuk ka informacion për ndonjë aksion të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jo, nuk kam ndonjë informacion. Me sa di unë nuk është aksion i Vetëvendosjes”, tha shkurtimisht Hoti për KALLXO.com, lidhur me incidentin gjatë takimit të Kadri Veselit me personelin e QKUK-së.