Kandidati për kryeministër në konferencën për barazinë gjinore - Foto: LDK

Hoti: Lehonia 12 Muaj me Pagesë

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të ndryshohet legjislacionit dhe lehonat që nuk janë të punësuara gjatë një viti do të marrin 50% të pagës minimale në Kosovë.

Këto premtime Avdullah Hoti i dha sot gjatë një konference për barazinë gjinore që u mbajt në Prishtinë.

“Në fushën e mirëqenies sociale gratë do të kenë përkujdesje të plotë shëndetësore. Për gratë lehona, të cilat janë të punësuara, do të marrin 12 muaj pushim të lindjes, me pagesë. Ato të cilat nuk janë të punësuara, do të marrin 50% të pagës minimale për 12 muaj”, ka thënë Hoti në këtë konferencë sipas një komunikate të LDK-së.

Hoti ka premtuar edhe trajtim adekuat të viktimave të dhunës, përmes qeverive lokale dhe organizatave joqeveritare të certifikuara për këtë qëllim.

Hoti ka thënë se përkujdesja sociale për gratë është njëra nga katër shtyllat kryesore të programit qeverisës të koalicionit.

“Programi ynë për fuqizimin e grave dhe vajzave mbështetet në katër shtylla kryesore: Fuqizimi i grave me ligj; Mbështetja e grave përmes arsimit; Mbështetja në shëndetësi dhe mbrojtja sociale dhe Mbështetja e grave në ekonomi”, ka thënë Hoti, sipas komunikatës.

Ai ka thënë se nëpërmjet Fondit për Zhvillim që do të krijohet gjatë mandatit të ri qeverisës do të subvencionohen të gjitha bizneset e grave pa asnjë përjashtim.

Sa i përket fushës së ekonomisë Hoti ka thënë se në bujqësi, gratë do të kenë kuotë të veçantë për subvencione dhe grante.

Sipas komunikatës, kandidati për kryeministër ka thënë se do të zbatojmë me përpikëri Ligjin për barazi gjinore dhe ligjet e tjera që përkrahin, mbrojnë dhe fuqizojnë rolin e grave në shoqërinë tonë.

“Do garantojmë përfaqësim të plotë dhe të barabartë të grave në institucione qendrore dhe lokale, në agjenci, në diplomaci dhe në institucione të tjera”, ka thënë ai.