Haradinaj: Me Malin e Zi Demarkacionin do ta Përfundojmë me Dialog

Kandidati për kryeministër të Kosovës i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, e ka quajtur lajm të mrekullueshëm për sigurinë rajonale, rrjedhimisht edhe të Kosovës, ceremoninë e sotme në selinë e NATO-s, gjatë të cilës do të zyrtarizohet anëtarësimi me të drejta të plota i Malit të Zi.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është edhe një hap drejt përmirësimit të ambientit të sigurisë në rajonin tonë, edhe një hap drejt kontributit rajonal në sigurinë globale. Hapi përfundimtar për sigurinë rajonale është anëtarësimi i Kosovës në NATO, duke uruar që edhe Maqedonia do ta arrijë këtë së shpejti, ndërsa Serbia të fillojë sa më shpejt politikat bashkëpunuese”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Haradinaj thekson se Qeveria e Kosovës pas 11 qershorit do të forcojë marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale me fqinjtë, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe të barabartë.

“Me Malin e Zi jemi shtete mike dhe do të përfundojmë edhe çështjen e demarkacionit me dialog dhe qasje të përbashkët”, ka shkruar ai.

“Alternativa jonë strategjike është anëtarësimi në NATO, si kontribut për sigurinë nacionale, paqen në rajon dhe përballimin e kërcënimeve dhe sfidave transnacionale, duke përfshirë këtu edhe përballjen me influencën në rritje të Rusisë në Ballkan”, ka thënë ai.