Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ferizaj - LDK e LVV premtojnë 50% drejtoresha gra, AAK 3 drejtoresha, PDK nuk premton fare

Në Debat Pernime për udhëheqjen e ardhshme të Ferizajt, kandidatët për kryetar kanë dhënë premtimet e tyre për numrin e drejtoreshave në komunë.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Ferizajt,  Agim Aliu tha se do të jetë i matur në premtime.

“Në qeverisjen aktuale kemi pasur 4 drejtore. Unë jam i matur në premtime sepse atë që e premtoj, e bëj. Prandaj edhe tash do të jem i matur në premtime. Ferizaj i ka 11 drejtori. Jo 50 për qind, por nëse është mundur, nëse i gjejmë do t’i bëjmë, por jam i përmbajtur, ndoshta edhe kaloj 50 për qind dhe se di se çfarë do të thuash ti pastaj”, tha kryetari aktual Aliu që është në garë edhe për një mandat tjetër.

Kurse, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Ferizajt, Valon Ramadani u zotua se 50 për qind të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë nëse ai merr drejtimin e Ferizajt.

“Zonja Jeta, ta jap fjalën që 50 për qind të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë”, tha ai.

Edhe kandidatja e Lidhjes Demokratike e Kosovës për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi në Debat Pernime dha premtimin e saj për këtë temë.

“Po besoj që nuk dyshohet që unë do ta arrijë 50 përqindëshin por jo dhe vetëm. Burrave do t’u jap 50 përqindëshin”, premtoi ajo.

Ndërkaq, Arben Halili, kandidat AAK për të parin e komunës, tha në Debat Pernime se nëse zgjidhet kryetar, nënkryetaren e komunës do ta ketë grua.

“3 gra drejtore, një nënkryetare grua” tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.