Arbër Vllahiu në lagjen Kodra e Trimave

Arbër Vllahiu Zotohet për Fond Zhvillimi për Kodrën e Trimave

Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arbër Vllahiu, ka bashkëbiseduar me banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë dhe u ka premtuar atyre se do ta krijojë një fond të zhvillimit për këtë lagje.

Vllahiu ka thënë se kësaj pjese të qytetit “që i ka dhënë kaq shumë Kosovës, lirisë së saj e pavarësisë”, i është premtuar shumë që prej pas luftës dhe “nuk i është dhënë asgjë”.

“Nuk premtova se s’ka çka ju premtohet më këtyre njerëzve dhe kësaj pjese. U zotova të zgjidh çdo problem të tyre, në çdo cep. Edhe infrastrukturën, edhe objektet shkollore e çerdhet. Të zgjidh çështjet që lidhen me pronën dhe edhe atë komunale”, tha Vllahiu.

“U zotova ta krijoj fondin e zhvillimit për Kodrën e Trimave, me partneritet publiko-privat. Të investoj për ta ndryshuar, për ta zhvilluar, për të krijuar mundësi për të rinjtë që të qëndrojnë në vendin e tyre, me perspektivë, me dinjitet. Ndryshimi ka filluar”, tha Vllahiu.