VV shpalos metodologjinë e kontrollit të Policisë

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla teksa ka folur për kontrolle të institucioneve të sigurisë në vend.

Sipas tij, kontrolli i Policisë dhe AKI-së do të ndodhë përmes ligjit.

“Nëse do të vijmë ne në pushtet do ta kontrollojmë Policinë do ta kontrollojmë AKI-në sepse do t’i kontrolloji ligji. Dhe askush nuk do të guxoj të shkel ligj”, ka thënë ai gjatë #DebatPernime.

Ai ka paralajmëruar se nëse partia e tij vjen në krye të ekzekutivit të ardhshëm, do të nis vetingun në institucionet e sigurisë.

“Ne do të fillojmë procesin e vetingut për Prokurori, Gjyqësi, Polici dhe nivele të larta të AKI-së”, tha ai.

Por, kandidati për deputet i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se deklarimi i Sfeqlës bie ndesh me kauzën për “shkapjen e shtetit”.

“Ajo që e tha Xhelali bjen pak ndesh me konceptin e tyre e shkapjës sepse nëse dojn me e kapë edhe AKI-në edhe Policinë edhe dojnë me emëru kryekrpororin, bjen ndesh me kauzën që dojnë me i fitu zgjedhjet”, tha Tahiri.

Duke komentuar depërtimin e gjashtë shtetasve të Turqisë, Tahiri tha se Kosova duhet të veproj njësoj edhe në të ardhmen në raste të tilla.

“As Turqia as një vend tjetër nuk mund të përzihet në punët e brendshme se jemi shtet i cili i merr vendimet vetë. Në këtë frymë kemi reaguar edhe ndaj gylenistëve, në këtë frymë kemi reaguar edhe ndaj gylenistëve dhe do të veprojmë prapë”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi kandidati për deputet i LDK-së, Faton Peci. Ai tha se rasti i njohur si gylenistët nuk është ekstradim as depërtim por është kidnapim dhe për këtë fajet i ka presidenti Thaci.

“Në rastin e gylenistëve ne nuk kemi pasur as ekstradim as depërtim por kemi pasur kidnapim për shkak të dyshimeve të lidhjeve ekonomike të Presidentit Thaçit me Turqinë,  edhe për shkak të dyshimeve ose mundësive shpalljës të ndonjë aktakuze nga ndonjë Tribunal Ndërkombëtar, ka ardhur deri te kidnapimi i qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ai gjatë #DebatPernime.